Një gazetar francez është vrarë teksa raportonte nga zona e luftës në Ukrainën lindore. 32-vjeçari Arman Soldin, i cili punonte për agjencinë e lajmeve AFP, vdiq të martën pasi u godit nga raketa pranë Chasiv Yar, në perëndim të Bakhmutit, i cili çdo ditë është në shënjestër të forcave ruse.
Një ekip gazetarësh u sulmua rreth orës 16:30 me orën lokale, ndërsa ishte me një grup ushtarësh ukrainas. Ai ishte pjesë e ekipit të parë të AFP-së që shkoi në Ukrainë pas pushtimit të Rusisë në shkurt të vitit të kaluar dhe jetonte atje që nga shtatori.
Presidenti francez Emmanuel Macron shprehu ngushëllimet për gazetarinë vrarë në vijën e parë të luftës.
“Me guxim, që nga fillimi i konfliktit ai ishte në front për të vërtetuar faktet. Për të na informuar. Ne ndajmë dhimbjen e familjes së tij dhe të gjithë kolegëve të tij”, shkroi Macron në Twitter.
Kryetari i AFP, Fabrice Fries, tha se agjencia e lajmeve ishte “shkatërruar” nga vdekja e Soldin, për të cilën ai tha se ishte një “kujtim i tmerrshëm i rreziqeve me të cilat përballen gazetarët çdo ditë që mbulojnë konfliktin në Ukrainë”.