Në Shqipëri zëri i grave dhe vajzave kandidate në fushatat zgjedhore ka ardhur duke rënë në tre zgjedhjet e fundit. Sipas një monitorimi të Autoritetit të Mediave Audiovizive në fushatën për zgjedhjet vendore të së dielës, ato kishin vetëm 11% të protagonizmit në media, kundrejt burrave.
Aleanca e grave në parlament po mendon që kjo çështje të rregullohet me ligj. Nga ana tjetër aktivistë të barazisë gjinore thonë se tribunat elektorale zotërohen në masë nga drejtuesit kryesorë të partive duke ju lënë shumë pak kohë grave të prezantojnë platformat e tyre përballë zgjedhësve.
Në Shqipëri fushata për zgjedhjet vendore përfundon sot. Në zgjedhje garojnë 144 kandidatë për kryetar bashkie, dhe mbi 23 mijë e 600 kandidatë për anëtarë të këshillave bashkiakë. Ndërsa Kodi Zgjedhor parashikon që në listat e këshilltarëve 50% të jenë gra, për kandidatët për kryetar bashkie nuk ka kuota gjinore, për pasojë, këtë herë, vetëm 15, ose 10.4% e 144 kandidatëve, janë gra.
Por, edhe pse për parlamentet e bashkive, konkurrojnë mbi 11 mijë e 800 gra, studiues të zgjedhjeve në Shqipëri, konstatojnë se zëri publik i grave dhe vajzave në fushatë ka qënë i dobët. Autoriteti i mediave audiovizive, pas një monitorimi të televizioneve dhe radiove, konstatoi se diferenca mes zërit të burrave dhe grave, si në prezantimet e takimeve zgjedhore, ashtu dhe në studiot televizive, ishte e thellë.
“Shifra është evidente e shporporcionuar. 11% të protagonizmit e zënë gratë dhe vajzat dhe 89% meshkujt”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Dr. Arben Muka, drejtor i programeve në AMA.
Artikulli i plotë këtu.