Pak minuta pasi mori lajmin e zi për humbjen e tre bashkive, Elbasan, Vorë dhe Kamëz, Sali Berisha doli në një konferencë për mediat. Në krah kishte Salvador Kaçajn, ish-kryetari i Shëngjinit disa vite më parë. Ai denoncoi sot se u kërcënua dhe tentuan që ta vrisnin. Berisha akuzoi direkt Edi Ramën.
“Por sot unë dola përpara jush për një rast të jashtëzakonshëm, Salvador Kaçajn, ish-kryetar i Shëngjinit e kanë ndjekur dy makina pa targa, ku ai ka qenë bashkë me djalin. Persona të maskuar dolën nga makina dhe u bënë gati të qëllojnë.
Shoferi i Salvadorit, një ish-gardist i sprovuar arriti që të manovronte me makinë dhe ti bëjë të pasigurt në kryerjen e atentatit. Ata e kanë ndjekur me armë në dorë që t’i vrisnin. Nuk kanë arritur. Por të gjithë këto janë të filmuara” tha ai.
“Banda Ndreu-Rama do të dështojnë dhe rezultati do të jetë 3-0 në Lezhë. Shpëtova falë Zotit dhe gardistit që manovroi. Makinat ishin pa targa. Dy zbritën, u turrën me armë dhe tentuan të na vrisnin. Organizator për këtë është Edi Rama dhe Pjerin Ndreu” tha ai.