Policia e Elbasanit ka arrestuar Qamil Hasën 28 vjeç. Hasa u shpall në kërkim një vit më parë pasi tentoi të vrasë me thikë një person në lagjen “28 nëntori”.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Bulevardi”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, per vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Bulevardi”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit Qamil Hasa 28 vjeç, banues në Elbasan. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, sepse më datë 02.08.2022, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, shtetasi dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë me mjet prerës (thikë), shtetasin O. D., 33 vjeç, banues në Elbasan. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme