Shqipëria po bën përpjekje për ta shtrirë turizmin përgjatë gjithë vitit, por sërish në muajt e verës është përqendrimi më i lartë i turistëve, ndryshe nga shtetet e tjera të Europës, ku hotelet janë të zëna me punë pothuajse gjatë gjithë vitit. Kroacia, Greqia, Bullgaria, Shqipëria dhe Mali i Zi janë renditur nga Eurostat ndër vendet që kanë sezonalitetin më të lartë turistik në Europë.
Në total, rreth një e treta e netëve turistikë në Europë janë shpenzuar në korrik dhe gusht, sipas Eurostat. Ndërsa në Shqipëri, kjo peshë arriti në rreth 46%, sipas përpunimeve të Monitor, bazuar në statistikat e Eurostat, e treta pas Kroacisë (59%) dhe Bullgarisë (48%), duke lënë pas Greqinë (43%).
Gjithsej, në Shqipëri u shënuan në vitin 2022 rreth 3.83 milionë netëqëndrime, me një rritje prej 20% në krahasim me vitin pararendës. Përmirësimi ka ndodhur në pjesën e parë të vitit, ndërsa në gusht netëqëndrimet ranë me 2.5%, pas një përmirësimi në shtator dhe tetor, sërish nëntori dhe dhjetori kishin tendencë rënëse.
Në dy muajt e parë të 2023, numri i netëqëndrimeve është rritur me 3.6%.
Europa; Më shumë se një e treta e netëve turistike kalohen në korrik dhe gusht
Sipas Eurostat, sezonaliteti ka pasur gjithmonë një ndikim thelbësor në turizëm, dukuri e dukshme në modelet e mbërritjeve të turistëve dhe netëve e kaluara në hotelet dhe vendpushimet turistike të BE-së.
Muajt e pikut për netët e kaluara, ishin korriku dhe gushti në të gjitha vendet e BE-së në vitin 2022. Modeli sezonal ishte më i theksuar në Kroaci (59% e netëve të kaluara në 2022), Bullgari (48%) dhe Greqi (43%). Ndërkohë, modeli sezonal ishte më pak i theksuar në Maltë dhe Finlandë (të dyja 25%) dhe Gjermani (26%)./Monitor