Socialistët që kanë shumicën po kthejnë në qesharak Kuvendin. Mesditën e sotme, teksa po vazhdonin diskutimet për projektligjin për pagat, drejtuesja e seancës Ermonela Felaj u bëri thirrje deputetëve që të nxitojnë dhe të votojnë përpara orës 14:30 pasi Presidenti ikën jashtë vendit.
“Presidenti i Republikës ka dhënë pëlqimin për dekretimin e menjëhershëm të paketës së ligjeve për shkak edhe të largimit të tij në një vizitë jashtë vendit, në orën 14:30 ne do të votojmë përpara se të përfundojë seanca.
Kështu që secili nga kolegët të shikojë edhe radhën e diskutimeve të tij në fjalë sepse në atë orë do të ndërpriten diskutimet për të kaluar në votim”, tha Felaj.
Kuvendi kërkon ta dekretojë ligjin brenda 25 majit. Presidenti i Republikës Bajram Begaj niset nesër për një vizitë zyrtare dy ditore në Itali. Por pyetjet që shtrohen janë të paktën dy; si e di Felaj rezultatin e votimit dhe si do të firmosë Presidenti kaq shpejt pa e lexuar?