Mbrëmja e djeshme ishte një përballje e fortë me trafikantët për policinë shqiptare dhe të Kosovës. Në Kukës, në kufi me Kosovën gjashtë trafikantë u arrestuan dhe një u shpall në kërkim. Të gjithë të huaj.
Qëlluan ndaj policisë në momentin që iu kërkua që të ndalojë dhe të dorëzohen. Latif Hoxha, shef i sektorit të operatores për mbikëqyrjen e kufirit Kosovë-Shqipëri ka dhënë detaje rreth trafikantëve të klandestinëve që qëlluan me armë drejt efektivëve.
“Dje, rreth orës 11 kemi pranuar informacion se në drejtim të territorit të Kosovës janë 6-7 persona të armatosur. Personat e dyshuar kanë parë në policinë dhe kanë gjuajtur në vijën kufitare, distanca 50-100 metra.
Personat që kanë qenë duke ardhur, në momentin e takimit vizual me policinë e Kosovës, janë kthyer nga policia shqiptare, ndaj të cilëve kanë gjuajtur. Në pamundësi për t’u futur në Kosovë e për t’u kthyer mbrapa kanë përdorur gjuajtjet për të shpëtuar.
Në momentin e parë janë ndaluar 3 persona nga ana e policisë së Shqipërisë. 4 të tjerë ikën në pjesën e sipërme, në atë të vështirë malore, është krehur tereni në të dyja anët. Në pjesën e Shqipërisë kanë qenë të përfshira të gjitha njësitë.
Më vonë nga policia shqiptare kemi marrë konfirmimin se janë arrestuar dhe 3 të tjerë. Ne nuk kemi gjuajtur. Vetëm ata kanë gjuajtur. Është qëlluar ndaj nesh por fatmirësisht nuk ka të lënduar”, tha Latif Hoxha.
Policia: Gjashtë trafikantë të arrestuar, qëlluan drejt efektivëve në Kukës