Aksioni i policisë së Kosovës në veri ka lëkundur raportet mes SHBA-së dhe Prishtinë. Ambasadori amerikan Jeff Hovenier ishte i pari i qartë në kritikat e tij kundër aksionit të policisë së Kosovës. Serbia lëvizi ushtrinë.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo i ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës.
Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të ashpër dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën” tha SHBA.
Departamenti i Shteti i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që ta ndryshojë kursin dhe “të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do t’i ndezë tensionet dhe do ta nxisë konfliktin”.
Përpara deklaratës, edhe vetë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka qortuar qeverinë, së cilës ia ka faturuar përgjegjësinë për situatën e krijuar në veri. “Dënojmë fuqishëm aksionet nga Qeveria e Kosovës që po i përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po e rrisin pasigurinë.
I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti t’i ndalë këto masa të dhunshme menjëherë dhe të rifokusohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka shkruar Blinken.
Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh se ka të njëjtin qëndrim me SHBA-në. “A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?!
Me siguri jo, përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar. Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë” shkruan ai.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, i është përgjigjur Departamentit Amerikan të Shtetit që i cilësoi si “të dhunshme” veprimet e Policisë së Kosovës.
“Etiketimi i veprimeve të ligjshme dhe të civilizuara të Policisë së Kosovës si ‘të dhunshme’ dhe operacionin e saj të zbatimit të ligjit si ‘dhunë’, është ‘ftesë’ për Milan Radojiçiqin e futur në listën e zezë të SHBA-së për t’i komanduar mashtruesit e tij që t’i sulmojnë policët e Kosovës”, ka deklaruar ministri Sveçla.
Bashkimi Evropian, që lehtëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka dënuar tensionet e së premtes në veri dhe ka shprehur qëndrimin se më nuk do të pranojë “asnjë veprim të njëanshëm ose provokues”.
“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm përplasjet në mes të Policisë së Kosovës dhe protestuesve në veri të Kosovës, të iniciuara nga përpjekja e kryetarëve të sapozgjedhur që të hyjnë në objektet komunale”, thuhet në reagim.
Ka dënuar edhe sulmet ndaj misionit të saj për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, por nuk i ka bërë përgjegjës serbët për këtë sulm.
“I dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX-it”, thuhet në reagim. “EULEX duhet të lejohet ta kryejë mandatin e tij paqësisht”.
Vetëm kryetari i Mitrovicës Veriore ka dhënë betimin në ndërtesën e Komunës, ndërkaq për t’i shmangur tensionet e paralajmëruara nga serbët, kryetari i Zveçanit, ai i Zubin-Potokut dhe kryetari i Leposaviçit një ditë më parë janë betuar në objekte në pronësi të komunave, që ndodhen në fshatra të banuara kryesisht me shqiptarë.