Situata në veri të Kosovës është e qetë pas tensioneve të djeshme. Paraditen e sotme ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ishte për të takuar kryetarin e Leposaviçit, Lulzim Hetemi brenda komunës për të shprehur mbështetjen e fortë. Sveçla doli nga zyra dhe mesazhi ishte i qartë për Serbinë.
“Erdha, e vizitova kryetarin e Komunës, i dëshirova punë të mbarë. Shpreha mbështetjen tonë, u pajtuam që ka nevojë të gjitha institucionet, qoftë vendore apo qoftë qendrore, të punojnë për të mirën e qytetarëve, me iu shërbyer qytetarëve përkundër vështirësive. Ne jemi të bindur që të gjithë këto vështirësi do t’i tejkalojmë. Policia e Kosovës është Kosovës dhe këtu është Republikë e Kosovës”, ka thënë Sveçla para mediave nga Leposaviçi.
Flamuri i Republikës së Kosovës është vendosur sot në objektin e Komunës së Zveçanit duke hequr serbin. Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci arriti të futet dje në objektin e komunës, vetëm pas asistimit të Policisë së Kosovës. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë disa qytetarë serbë që u mblodhën para ndërtesave komunale në veri të Kosovës.