Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë njoftoi sot se nuk e ka shqyrtuar kërkesën e Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit për të rrëzuar masën e gjykatës së Vlorës që e la në burg. Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm ia kaloi çështjen për kompetencë GJKKO-së.
Tashmë do të jetë Gjykata e Posaçme e Apelit që do ta shqyrtojë këtë dosje. Ndërkohë që gjithashtu është ankimuar masa e Shkallës së Parë të Gjykatës së Posaçme që konfirmoi vendimin e gjykatës së Vlorës.
Fredi Beleri ndodhet në spitalin e burgut në Tiranë për shkak të gjendjes shëndetësore. Paraprakisht mësohet se Beleri ka probleme me zemrën.
Fredi Beleri u bë kryebashkiaku i parë në historinë e zgjedhjeve vendore në vendin tonë që zgjidhet teksa ndodhet i mbyllur në qeli. Ai u arrestua me akuzën e blerjes së votave duke shkaktuar edhe një klimë të tensionuar në raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Athina zyrtare kërkon lirimin e tij, por SPAK është i vendosur për ta mbajtur në qeli duke deklaruar se ka prova me video dhe audio që e implikojnë në krim elektoral.