Duket se dy janë temat që po diskutohen me zhurmë kërcitëse në këto ditë postzgjedhore. Komisioni Evropian tërheq vëmendjen e institucioneve shqiptare lidhur me fenomenin negativ të shit-blerjes së votës në Shqipëri dhe dhënien fund të këtij të fundit.
Kurse nga ana tjetër, Kuvendi Popullor miratoi vendimin e qeverisë për të kryer rritje të dukshme të pagave për parlamentarët dhe qeveritarët. Nëse do të ktheheshim vetëm pak në kohë pas, do të kujtonim se pak para zgjedhjeve, ishin të shumtë komentatorët e studiove televizive dhe sidomos protagonistë të politikës të cilët i bënë thirrje popullatës deri në çjerrje zëri për të mos shitur votën. Fenomeni shpesh u paraqit si i neveritshëm. Në të njëjtën linjë me komentet, meme të shumta filluan të qarkullonin kudo duke shpjeguar, edhe ato në mënyrë bindëse, efektin negativ të shitjes së votës. Askush, pa përjashtim nuk hezitoi qe shitjen e saj ta quante si mungesë të dinjitetit nga ana e atij që kryen aktin.
Ndërkohë në kuadrin e zhurmës tjetër të lidhur me ngritjen e pagës për parlamentarë e qeveritarë, u panë vetë disa nga përfituesit të cilët e përshëndetën rritjen duke e lidhur faktin, ndër të tjera edhe me dinjitetin e parlamentarit. Ajo u cilësua si akt larg barazitizmit apo edhe popullzimit të përfaqësuar nga kontestuesit e reformës. Nisur nga këto deklarime publike duket sikur kemi të bëjmë me dy çështje në shikim të parë larg njëra-tjetrës. Por, është e qartë se sot në shoqërinë shqiptare kemi nga njëra anë një pol masiv me individë të shumtë, pjesë e popullit plebe, që nuk ka dinjitet, sepse shet votën kundrejt një përfitimi modest, kurse poli tjetër, një grusht qeveritarësh dhe parlamentarësh që sipas njërit prej tyre, fitojnë dinjitet në sajë të rritjes së konsiderueshme të pagës. Pra në të dy polet me nivele thellësisht të ndryshme ekonomike, flitet për vlerën sociale të dinjitetit të mbështetur pikërisht mbi nivelin ekonomik.
Njëra palë e lumtur se të rritja e pagës gjeti edhe dinjitetin, tjetra, më masive, gjykohet rreptësishtë sepse në mënyrë trishtuese shet dinjitetin pikërisht për të njëjtat arsye. Rritja e pagës kësaj kategorie për të cilën po flitet, nuk është tabu, por ajo duhet gjykuar dhe kryer duke marrë parasysh një kontekst më të gjerë social, duke parë nivelin e kontributit të të gjithë shtresave të cilat përbëjnë shoqërinë shqiptare dhe sigurisht larg barazitizmit dhe pa nënvleftësuar parlamentarizimin, pavarësisht nga cilësia e tij. Kurse konteksti i sotëm në të cilin bëhet rritja në fjalë nuk bën gjë tjetër veçse konfirmon deformimin apo tjetërsimin e vlerave sociale të shoqërisë shqiptare, e cila ka kohë që ka filluar të ndërtojë një hierarki antivlerash.
Në këtë hirarki, ata që janë vendosur në majë kanë përbuzje për ata të vendosur në fund, pavarësisht se në thelb këto antivlera janë të krijuara pikërisht prej saj. Përbuzja e majës së piramidës nuk vjen nga fakti i shitjes së votës, por nga fakti i çmimit të ulët me të cilin ata poshtë e shesin. Kjo sepse vetë maja e piramidës shitet e blihet pa problem, por me çmim të lartë. Ky është edhe thelbi i kësaj qeverisje. Të gjithë blihen, vetëm çmimi ndryshon. Dhe çmimi është i barabartë me virtyt për t’u lavdëruar, kur është i lartë dhe ves për t’u përbuzur, kur është i ulët. Ata në majë të piramidës mendojnë se kanë dinjitet pasi kanë para për të mos shitur votën, kurse ata që janë në fund, nuk kanë dinjitet sepse nuk kanë para dhe shesin votën.
Shitja e votës nuk është çështje dinjiteti individësh, por plagë sociale e një shoqërie e cila karakterizohet nga polarizimi i skajshëm dhe ku e vetmja pikë e qëndrueshme referimi për të ndërtuar jetën, mbetet orientimi drejt parasë. Shitja e votës nuk është mungesë dinjiteti individësh të dobët, por shtrembërim i dhimbshëm i moralit të një popullate në përpjekjet e saj të dobëta për t’ ju përshtatur trysnisë së rëndë që i ushtron mbi shpatulla padrejtësia sociale dhe ekonomike. Është produkt i qëndrimit të një shoqërie e cila më shumë përshtatet duke ndërruar vlerat e saj sociale se sa të luftojë për t’i mbrojtur ato. Shitja e votës nuk është mungesë dinjiteti në kushtet kur vetë maja e piramidës sociale ka krijuar në themelet e saj një shtresë të gjerë individësh të cilët nuk janë të zhveshur nga nevoja. Madje nevojë ekstreme.
Është kjo që e shtrëngon atë në zgjedhjet që bën, përfshi edhe procesin e votimit. Dhe në fakt fenomeni i nevojës nuk ndalet vetëm tek shitja e votës. Kjo e fundit është masive dhe ka çmim të ulët. Por jo rrallë herë publiku shqiptar ka qenë dëshmitar kur ka qenë pikërisht nevoja ajo e cila ka imponuar edhe figura të njohura publike, të ndryshojnë qëndrim e bindje ndaj një çështje me rëndësi, për të cilën fillimisht ata janë betuar e stërbetuar se do ta mbrojnë, pikërisht për shkak të nevojës. Askush nuk i përbuz ata. Sepse për një çmim të majmë, ja vlen të ndryshosh kamp. Nëse në shoqërinë shqiptare do të vazhdohet që në mënyrë masive të ketë individë të cilët në zgjedhjet e tyre që bëjnë, janë të detyruara nga nevoja, ajo nuk mund të jetë shoqëri e njerëzve të lirë.
Është njeriu i lirë ai që nuk shet votën, por edhe kaq nuk mjafton. Pra, në thelb, rritja e pagës për parlamentarët apo edhe qeveritarët është çlirim i tyre nga nevoja ekonomike që në kontekste të caktuara mund t’i detyronte të bënin zgjedhje jo të përshtatshme për dinjitetin e tyre. E megjithatë, koha ka dëshmuar dhe vazhdon të dëshmojë mjaft raste të kundërta. A është shitja e votës një nevojë apo mungesë dinjiteti për ata që kryejnë aktin? Fenomeni sigurisht është larg vlerave pozitive për t’u përshëndetur, por njëkohësisht bëhet fjalë për një akt i cili i përgjigjet në një formë të caktuar, një realiteti të trishtë. Në mjaft zona të thella, te individë të shumtë në nevojë, nuk ndihet prania e shtetit. Në këto zona, partitë janë të pranishme si shiu i beharit që bie me rrebesh për një kohë të shkurtër dhe pastaj zhduken për t’u dukur përsëri në zgjedhjet e radhës.
E keqja është se edhe në periudhën që ndajnë zgjedhjet, në këto zona as pushteti vendor nuk është i pranishëm. E njëjta gjë edhe për mjaft individë në marzh të shoqërisë që nuk banojnë në zona të izoluara. Dhe rritja e pagës së parlamentarëve apo edhe qeveritarëve nuk është se ka ndonjë ndikim në zgjidhjen e kësaj gjendjeje. Ndërkohë, pjesa më pranë pushtetit vendor, ajo e kryepleqve të të gjithë krahëve politikë, unanimisht organizohet mbi bazë familjare apo klanore. Ndaj dhe ai konceptohet i largët, qoftë kjo dhe bashkia. Një kontekst i tillë kompleks, siç i shpjegua më sipër, bën që të jenë të shumtë individët të cilët e shesin lehtësisht votën.
Dhe kjo vetëkuptohet. Ata mendojnë se cilado qoftë forca politike në pushtet, ky i fundit, për ta do të jetë gjithmonë i largët, i huaj. Kështu dhe vota shitet, dhe lirë. Realiteti në të cilin jetojnë në përditshmëri prej dekadash ka bërë që shumë individë të krijojnë bindjen se kur e japin votën e tyre ashtu siç e mendojnë, ata e dinë që nuk fitojnë gjë, kur e shesin, po ashtu e dinë mirë se nuk humbasin asgjë. Në kushtet e një nevoje ekstreme, të flasësh për mungesë dinjiteti apo moral, sepse shitet vota, të kujton ruajtjen e dinjitetit të një të deportuari në kampet e përqendrimit nazist.