Ka ende “një ose dy gjëra të vogla” për t’u sqaruar, por palët janë mjaft afër arritjes së një marrëveshjeje, njoftohet nga Uashingtoni. Sipas CNN-it marrëveshja e përkohshme për tavanin e borxhit tani po shqyrtohet nga të dyja palët.
Drejtuesi republikan në Kongres, Kevin McCarthy, u tha gazetarëve se do të fliste sërish me presidentin amerikan, Joe Biden dhe do të mbikëqyrte formulimin përfundimtar të projektligjit. Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë më pas ditën e mërkurë.
Një gjë është e qartë: marrëveshja përfundimtare duhet të miratohet në të dy dhomat e Kongresit dhe të nënshkruhet nga Presidenti Joe Biden sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të mund të shmanget pamundësia e e qeverisë amerikane për të paguar.
Mosmarrëveshja mbi tavanin e borxheve madje e shtyu Biden të anulonte udhëtimet jashtë vendit. Në SHBA parlamenti vendos në intervale jo të rregullta një tavan borxhi dhe përcakton se sa para mund të marrë hua shteti. Ndërkohë tavani i borxhit prej rreth 31.4 trilion dollarësh është arritur dhe Ministrisë së Financave i duhet të përdorë rezervat e kapitalit.