Eurodeputeti austriak, Thomas Waitz, ka reaguar lidhur me sulmet që ndodhën të hënën në veri të Kosovës ndaj mediave, gazetarëve, pjesëtarëve të policisë dhe KFOR-it nga protestuesit serbë.
Waitz ka thënë se sulme të tilla janë të papranueshme dhe sipas tij, janë si rezultat i politikave ento-nacionaliste të presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit.
Eurodeputeti më tej ka bërë thirrje që përshkallëzimi të përfundojë menjëherë, ndërsa ka theksuar se duhet zgjidhje politike për çështjen e veriut.
“Sulmet e djeshme kundër gazetarëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it nga serbët etnikë në veri të Kosovës janë krejtësisht të papranueshme. Përshkallëzimi duhet të përfundojë menjëherë. Ne kemi nevojë për paqe dhe zgjidhje politike për krizën në veri të Kosovës. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Dialogun Beograd/Prishtinë”, ka shkruar ai në Twitter.
Eurodeputeti ka apeluar edhe Partinë Popullore Evropiane (EPP) që t’i japë fund bashkëpunimit me Vuçiqin. Po ashtu, Waitz ka thënë se tashmë BE-ja po diskuton një ngrirje të bisedimeve të pranimit me Serbinë.
“Këto përshkallëzime janë rezultat i politikave etno-nacionaliste të Aleksandër Vuçiqit dhe retorikës përçarëse. Edhe ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët janë bërë objektiv i kësaj gatishmërie për dhunë. I dënoj sulmet me termat më të fortë. Partia Popullore Evropiane (EPP) duhet t’i japë fund urgjentisht bashkëpunimit me Aleksandar Vuçiqin, kundër të cilit në Serbi po zhvillohen protesta masive. BE tashmë po diskuton një ngrirje të bisedimeve të pranimit me Serbinë”, ka shkruar ai.