I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ditën e djeshme u përpoq të organizojë një takim mes dy udhëheqësve, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç, në mesin e tensioneve që kanë shpërthyer në veriun e Kosovës.
Takimi duhej të mbahej në Bratislavë të Sllovakisë, ku dy liderët ishin të ftuar në konferencën për siguri globale, “Globsec”.
Kryeministri i Kosovës Kurti ditën e sotme ka fluturuar drejt Bratislavë. Ndërkohë Aleksandër Vuçiç ditën e djeshme njoftoi se nuk do të udhëtojë drejt Bratislavës. “Po qëndroj me popullin dhe ushtarët tanë. Serbia do të fitojë”, njoftoi ai duke vulosur mospraninë në panelin ku do të jetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.