Mbrëmjen e djeshme sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro u arrestua në flagrancë për korrupsion lidhur me një procedurë tenderimi.
Ndalimi i zyrtares së lartë të Ministrisë së Shëndetësisë është bërë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK, pas një hetimi të kryer lidhur me një procedurë prokurimi.
Ndërkohë ditën e sotme SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me rastin e Duros.
Në njoftim bëhet me dije se sot6 janë vendosur urdhëra për ndalimin Vladimir Topi i cili është administrator i kompanisë “DRICONS” dhe inxhinieri i kompanisë me inicialet S. Sh. pasi dyshohet se i kanë ryshfet Duros për të fituar një tender.
Dosja e ryshfetit në shëndetësi! Kjo është firma që fitoi tenderin (Dokumentet)
“Pas kryerjes së veprimeve hetimore është krijuar dyshimi se vlera e përfituar në mënyrë të parregullt nga shtetasja J.D., me funksionin Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale (në shumën 330.000 lekë), është dhënë si ryshfet nga shtetasi V.T., administrator i operatorit ekonomik “Dri…” sh.p.k, me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.
Po ashtu, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin se shtetasi S. Sh., me detyrë inxhinier pranë operatorit ekonomik “Dri…..” sh.p.k, pasi e ka marrë vlerën monetare prej 330. 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë nga banesa e shtetasit V. T., ja ka dërguar më pas shtetases L. Sh., e cila ishte personi që kishte njohje dhe mbante kontakte me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, J. D., kjo e fundit e kapur në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar në mënyrë të parregullt.” shkruhet në njoftimin e SPAK.