Policia ka zhvilluar operacionin “Basti i fundit” ku ka arrestuar 20-vjeçarin me inicialet E. J pasi përdorte lokalin e marrë me qira për lojëra fati.
Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë edhe 4 shtetas të tjerë të cilët u gjetën në lokal në momentin e ndërhyrjes nga Policia.
“Nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. S., 32 vjeç, banues në fshatin Droje dhe për shtetasit G. K., 30 vjeç, M. J., 26 vjeç dhe Sh. J., 30 vjeç, banuesë në Thumanë, të cilët u gjetën në këtë lokal në momentin e ndërhyrjes nga policia”, thuhet në njoftimin e policisë
Pas operacionit policia ka sekuestruar 6 kompjutera për lojëra fati, 2 tavolina pokeri, 2 valixhe me fisha bixhozi, një shumë parash dhe aksesorë të tjerë që përdoren për këtë veprimtari.
Gjatë fazës së parë të këtij operacioni, janë vënë në pranga 2 shtetas dhe janë sekuestruar 7 kompjutera për lojëra fati, celularë dhe pajisje të tjera që shërbenin për kryerjen e kësaj veprimtarie.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.