Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka thënë se pa pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në institucione si policia, gjyqësori, administrata komunale etj., nuk do të kthehet ndjenja e normalitetit në jetën e përditshme.
“Siç kemi dëgjuar nga BE-ja dhe faktorë të tjerë, duhet të ketë zgjedhje gjithëpërfshirëse në mënyrë që kryetarët e komunave në veri të kenë legjitimitetin e nevojshëm. Sigurisht që edhe misioni ynë është i gatshëm të ndihmojë në këtë drejtim”, ka thënë Davenport për RTK2.
Ai tutje ka thënë se situata në veri është shumë e tensionuar.
“Edhe pse zgjedhjet janë zhvilluar në përputhje me legjislacionin, situata nuk është e qëndrueshme për kryetarët e zgjedhur nga një numër shumë i vogël votuesish. Nga ana tjetër, çdo dhunë është krejtësisht e papranueshme”.
“Fatkeqësisht, pati përplasje dhe sulme në të cilat u plagosën policë, përfaqësues të misioneve ndërkombëtare dhe gazetarë, në disa raste rëndë. Para së gjithash, duhet të ketë një qetësim të tensioneve dhe një shtensionim të situatës. Siç e kam thënë në disa raste, pa pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në institucione si policia, gjyqësori, administrata komunale etj., nuk do të kthehet ndjenja e normalitetit në jetën e përditshme”, ka shtuar Davenport.
Duke folur për dialogun Kosovë – Serbi, ai ka thënë se Misioni i OSBE-së e përkrah këtë proces dhe ka qenë gjithashtu edhe i angazhuar aktivisht në aktivitete dhe projekte të ndryshme për zbatimin e asaj që është rënë dakord në dialog.
Davenport ka thënë se formimi i Asociacionit është një nga obligimet e shumta në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2013, si dhe në përputhje me marrëveshjet e reja të shkurtit dhe marsit të këtij viti.