Pas arrestimit të sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë avokati, Saimir Vishaj është shprehur se shumë punonjës të administratës i kanë shkuar në zyrë pasi urdhërohen nga eprorët për të firmosur firma të cilat mund t’i çojë në burg.
“Pas 14 majit shumë punonjës të administratës dhe punonjës të rëndësishëm nga Energjetika, Ekonomia, Ministria e Shëndetësisë, po më vijnë në zyrë, duan të shpëtojnë nga administrata”, tha Vishaj.
Vishaj u shpreh se frika e ndëshkimit ka trokitur dhe punonjësit e administratës duan të largohen nga puna pasi urdhërohen për të kryer veprime që mund t’i çojë në burg.
“Frika e ndëshkimit ka trokitur. Ata kanë një problem, janë futur me vullnetin e lirë, dhe nuk po ikin dot. Një orë e më parë thonë, na urdhërojnë shefat të firmosim dhe një ditë do jemi në SPAK.
Me dhjetëra duan të shpëtojnë njëherë e mirë nga administrata sepse duke i deleguar firmën, sipërfaqe toke p.sh bregdeti po nuk u delegua nga lart nuk vepron ai i Kadastrës nga poshtë.
Duan njerëzit e administratës të shpëtojnë një orë e më parë nesër, se janë të sigurt që do shkojnë nesër pas hekurave. Drejtuesit e tyre do thonë s’kisha dijeni, firmosi specialisti. Kjo është formë e piramidës që është ngritur në Shqipëri”, tha Vishaj.
Avokati Vishaj doli edhe kundër ministres Manastirliu, duke thënë se çështja e ish sekretares së ministrisë së Shëndetësisë nuk është vetëm përgjegjësi individuale.
Vishaj kritikoi gjithashtu Dumanin pasi SPAK rrodhi informacione.
“Drejtuesi i SPAK-ut që është zoti Dumani, aty ku kishim rrjedhje të informacioneve, në këto lloj korrupsioni SPAK-u doli zbuluar. Ti ke njoftuar kryeministrin. Rrjedhja e informacionit që ky subjekt duhet ta kishte mbajtur sekret nuk ka pse ti thoje kryeministrit”, tha Vishaj.