“Stop” hedh dritë mbi një ngjarje makabre në Durrës, me viktimë një 24-vjeçare. Anisa Gjini, nënë e një djali 3-vjeçar pretendohet se u hodh nga ballkoni i katit të tretë, ku jetonte me bashkëshortin, Alfred Gjini dhe vjehrrën, Fahrije Gjini. Por babai i të ndjerës ka bindjen, se vajza e tij u vra nga burri i dhunshëm pas një sherri mes të dyve.
“Është gjëja më e keqe që më thotë, është hedhur. Që ajo po të ishte hedhur do ishte bërë fije-fije. Nga kati i tretë të mos ketë asnjë shenjë në kokë përveç çarjes, duarsh këtu, shenjat e dhunës, nuk kishte sens. Është vrarë, bashkë me të ëmën”, tha babai.
“Stop” ka siguruar dy dëshmitë, të bashkëshortit dhe të vjehrrës së Anisës. Alfredi tregon se është kthyer në shtëpi rreth orës 18:00. Në orën 19:00, ata kanë darkuar dhe më pas ai po shikonte ndeshjen Itali-Spanjë. Alfred Gjini tregon se në momentin kur ka bërë gol Spanja ai është ngritur dhe ka parë Anisën në dhomën e gjumit që po çatonte në telefon.
I është afruar dhe e ka pyetur se me kë po flet. Anisa është përgjigjur se po flet me tezen. Në këtë moment ai i merr telefonin me forcë dhe shkon në banjo për të parë se me kë po fliste Anisa. Alfredi deklaron se ka kaluar nga dritarja e banjos tek ballkoni dhe në ato momente dëgjon komshinjtë që po bërtisnin, “Ra”./ Tv Klan









