Kryeprokurori Olsian Çela kërkoi më shumë kompetenca në sistemin e drejtësisë, pasi me reformën e 2016 u “zhvesh” komplet nga funksionet që kishte. Sot në komisionin e Ligjeve, ai tha;
“Kërkojmë më shumë fuqi për monitorimin e sistemit. Kjo e ndihmon inspektorin e lartë të drejtësisë që nuk ka mundësi të kontrollojë gjithçka. Ne mund të mbledhim të dhëna dhe ILD ta ndjekë më pas. ILD ka nevojë që të mbështetet” tha ai.
Krimi kibernetik është në trend rritës. Këtë fakt e ka bërë të ditur vetë Prokurori i Përgjithshëm. Çela theksoi se rezultatet e autoriteteve në luftën kundër krimit kibernetik nuk kanë qenë të larta, pasi është natyrë e re krimi.
“Në fakt, krimi kibernetik është në trend rritës dhe është normale sepse gjithmonë e më shumë një pjesë e jetës që bëjnë qytetarët zhvillohet në forma digjitale, kështu që të gjithë janë më të aksesueshëm dhe mund të goditen. Por ajo që ne kemi bërë të paktën është se jemi fokusuar sidomos te specializimi i prokurorëve në fushën e krimeve kibernetike.
Por ama ky është vetëm një aspekt sepse thelbësore është se ne duhet të kemi sektorë të specializuar në Policinë e Shtetit për krimin kibernetik dhe rritja e tyre profesionale është shumë e rëndësishme. Prokuroria nuk e ka mundësinë për një sektor të tillë për shkak të natyrës se si funksionon.
“Nëse do t’u referohemi shifrave, kemi një efektivitet relativisht të ulët dhe kjo vjen si pasojë e faktorëve të ndryshëm se është një natyrë krimi e re. Ende sot institucionet e specializuara ligjzbatuese janë eficiente, por kjo nuk ndodh vetëm këtu, ndodh në të gjithë botën”, theksoi Prokurori i Përgjithshëm.
Raporti i plotë: Berati më i ulëti, Gjirokastra ka përqindjen më të lartë të kriminalitetit