Qeveria shqiptare realizoi të martën emetimin e Eurobondit të gjashtë në tregjet financiare ndërkombëtare.
Sipas burimeve nga tregu, Eurobondi kishte maturitet 5-vjeçar dhe një shumë totale prej 600 milionë eurosh.
Kërkesa e tregut rezultoi mjaft e lartë, në vlerën e rreth 1.3 miliardë eurove, ndërsa yield-i i obligacionit rezultoi 6.125%.
Emetimi i fundit i eurobondit nga qeveria shqiptare në tregjet financiare ishte kryer në nëntor 2021, kur u emetua një instrument 10-vjeçar, me një yield prej 3.75%.
Huamarrja e sotme ka rezultuar me kosto shumë më të lartë, për shkak të ndryshimit rrënjësor të kushteve në tregjet financiare. Banka Qendrore Europiane ka nisur rritjen e normave bazë të interesit që në mesin e vitit të kaluar.
Norma e instrumentit kryesor të rifinancimeve (MRO) e aplikuar nga kjo bankë ka arritur tashmë në 3.75%, nga 0 që ishte në vitin 2021, kur Shqipëria realizoi emetimin e fundit. Për shkak të rritjes së fortë të normave të interesit, këtë herë Ministria e Financave ka preferuar të emetojë një instrument më afatshkurtër.
Shuma e emetuar është 20% më e lartë krahasuar me planifikimin fillestar prej 500 milionë eurosh, të shpallur në planin vjetor të huamarrjes 2023.
Rritja e shumës së huasë mund të jetë e lidhur me interesin e lartë që kanë shfaqur investitorët dhe ndoshta edhe me zhvlerësimin e euros në kursin e këmbimit me lekun, që e ul vlerën ekuivalente të huasë në monedhën vendase./Monitor