24 orë pas nisjes së operacionit për 10 urdhër arrestet në bashkinë e Durrësit me në krye ish-kryetarin Vangjush Dako, prokuroria e Posaçme ka dhënë njoftimin e parë për mediat. SPAK thekson se janë ekzekutuar vetëm gjashtë urdhër arreste dhe personat e tjerë janë në kërkim.
Të arrestuar;
Vangjush Dako
Fiqiri Farruku
Adrian Bulku
Adnand Toçila
Meri Semini (Priftuli)
Ferzilet Hajderi
Në kërkim;
Adhurim Qehahaj
Ermal Lama
Fatmir Ejupi
Diana Dedja
Dy dosjet në hetim;
Objekt hetimi,në kuadër të këtij procedimi, kanë qenë dy fakte penale dhe më konkretisht procedura e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatesh dhe plotësimi i dokumentacionit të tij deri në regjistrimin e pasurisë si dhe procedura e prokurimit Shërbim Konsulence për sigurimin e projektit “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila” me fond limit 21.000.000 lekë me T.V.SH.
Dosja e parë;
Për dosjen e parë të Vangjush Dakos, SPAK thotë se të gjitha aktet e përpiluara nga administrata e Bashkisë Durrës me në krye ish-kryetarin përgjatë vitit 2014, kanë legalizuar një objekt të ndërtuar para zbardhjes së lejes së ndërtimit, dhe jo sipas projektit të miratuar. Prokuroria sqaron hap pas hapi të gjithë procedurën si është kryer shkelja.
“Në lidhje me faktin e procedurës së dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh të ndërtuar shoqëria “XXX sh.p.k.” ka rezultuar se kjo shoqëri ka paraqitur kërkesë për leje ndërtimi në Maj të vitit 2010, për një objekt 7-katësh.
Në datën 10 Shtator 2010 nga K.RR.T. pranë Bashkisë Durrës, ka miratuar vendimet për miratimin e destinacionit të sheshit të dhe leja e ndërtimit.
Pasi subjekti ka filluar punimet, në datën 20 Dhjetor 2010, ka paraqitur kërkesë për rikondicionim dhe shtese të katër kateve te objektit, dhe me vendimin e K.RR.T. Pranë Bashkisë Durrës të datës 28 Shtator 2011, kërkesa e tij për kate shtesë është miratuar, por formulari i lejes së ndërtimit, nuk është nënshkruar nga ish Kryetari i Bashkisë Durrës dhe Ish Kryetari i K.RR.T – së (procedurë që njihet ndryshe dhe si zbardhja e lejes së ndërtimit), duke bërë që akti administrativ të mos merrte fuqi juridike.
Nga hetimi është provuar se, pavarësisht kësaj, ndërtuesi ka përfunduar ndërtimin e pallatit 10 kate plus papafingo dhe në muajin Gusht 2012-Mars 2013 të gjitha apartamentet e porosituara ishin të banuara.
Gjatë ndërtimit të kateve V e vijues, I.N.U.V. pranë Bashkisë Durrës, ka vënë në dijeni Kryetarin e Bashkisë Durrës, se pallati nuk po ndërtohej sipas projektit të lejes së parë, por sipas projektit të miratuar me lejen e dytë, e cila ende nuk kishte hyrë në fuqi/nuk ishte zbardhur.
Një vit e gjysëm pasi pallati kishte përfunduar së ndërtuari dhe ishte i banuar, në datën 14 Tetor 2014, është zbardhur leja e ndërtimit nga Kryetari i Bashkisë Durrës dhe Drejtori i Drejtorisë së Kontrollit dhe Planifikimit të Territorit Pranë Bashkisë Durrës, dhe nga ndërtuesi e punonjësit e tjerë të kësaj Bashkie, janë nënshkruar të gjitha aktet plotësuese, të cilat në fakt duhet të ishin nënshkruar para fillimit të ndërtimit dhe gjatë zbatimit të punimeve, duke bërë që në të gjitha këto akte të mos pasqyrohej e verteta.
Pavarësisht se pallati nuk është ndërtuar as sipas projektit të miratuar me lejen e dytë, pasi ka patur mangësi në zbatimin e punimeve, nga kolaudatori është përpiluar akti i kolaudimit, në të cilit pasyrohej se pallati është ndërtuar sipas projektit, kur në fakt nuk ka rezultuar dicka e tillë.
Në vijim, nga Drejtoria e Planifikimit të Territorit, është miratuar çertifikata e përdorimit, dhe është përcjellë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, dhe nëpërmjet të cilës është siguruar regjistrimi i pronës.
Në muajin Nëntor 2019, pallati është dëmtuar nga tërmeti duke u shpallur si i pabanueshëm. Pra rezulton se të gjitha aktet e përpiluara nga administrata e Bashkisë Durrës, përgjatë vitit 2014, kanë legalizuar një objekt të ndërtuar para zbardhjes së lejes së ndërtimit, dhe jo sipas projektit të miratuar.
Nga sa më sipër, ish Kryetari i Bashkisë Durrës V.D., Drejtori i Drejtorisë së Kontrollit dhe Planifikimit të Territorit A.Q. Arkitekti E.L., projektuesja M.P. topografët F.E. dhe A.B. gjatë përpilimit të akteve të sipërcituara jo vetëm që kanë shpërdoruar detyrën, por nuk kanë pasqyruar në dokumentacionin tekniko-ligjor të objektit të vërtetën në lidhje me kohën kur janë bërë punimet dhe është realizuar ndërtimi, duke bërë që këto akte të jenë të falsifikuara në përmbajtje” thuhet në dosje.