-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Çfarë sinjalesh dërgoi Erdogani me kabinetin e ri?

Kryesoret

Ministrat që ishin më të zëshëm në mbrojtje të Erdoanit, tani nuk kanë më vend në kabinet. Ministër i Financave do të jetë një ekspert me përvojë ndërkombëtare. Diplomacinë do ta drejtojë shefi i deritanishëm i shërbimit sekret. E në krye të shërbimit sekret do të jetë këshilltari i deritanishëm kryesor i Erdoanit. Sylejman Sojlu nuk e ka kursyer veten në mbrojtje të Rexhep Taip Erdoanit. Gjatë fushatës elektorale, Erdoan shpeshherë ka përdorur fjalor të ashpër kundër oponentëve politikë. Por ka qenë Sojlu që ia kalonte presidentit me retorikë agresive.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të majit, ministri i Brendshëm Sojlu i quajti “përpjekje për puç nga ana e Perëndimit”. Pas një atentati në Stamboll në nëntor të vitit të kaluar, Sojlu tha: “Nuk i pranojmë ngushëllimet nga ana e ambasadorit amerikan, i hedhim poshtë ato”. Ai akuzoi SHBA-të për përkrahje të luftëtarëve kurdë në veri të Sirisë. Sojlu ishte ndër njerëzit më të besueshëm të presidentit Erdoan. Por duket se gara e tij për të qenë mbrojtësi më i zëshëm i presidentit nuk iu shpagua. Në kabinetin e ri të qeverisë së presidentit Erdoan mungon Sylejman Sojlu. Ai do të jetë vetëm deputet. Pra, njëri nga njerëzit më të fuqishëm të deritanishëm në krah të Erdoanit do të politizojë në parlamentin me kompetenca të reduktuara. Në vend të Sojlu, ministër i ri i punëve të Brendshme do të jetë Ali Jerlikaja, deri më tani guvernator i Stambollit dhe disa krahinave të vogla. Mbetet të shihet nëse me këtë emërim do të ndalet paksa represioni kundër zërave kritikë në Turqi. Ka gjasa që Sojlu është larguar nga Erdoani, për shkak se ishte tepër ambicioz dhe mund të jetë parë si rival për të ardhmen.

Befasi e dorës së parë është emërimi i Mehmet Simsekut në postin e ministrit të Financave. Këtë detyrë ai e kishte ushtruar deri në vitin 2018, kur Erdoan e emëroi dhëndrin e tij Berat Albajrak si shef të thesarit. Albajrak u dëshmua si totalisht i paaftë dhe vjehrri i tij qe i shtyrë ta heqë nga posti. Simsek është me prejardhje kurde, përveç shtetësisë turke ai është edhe shtetas britanik dhe ka punuar për bankën amerikane Meryll Lynch. Erdoan ishte përpjekur ta angazhojë Simsekun në ekipin e tij elektoral, por ai kishte refuzuar. Tani Erdoan arriti ta bindë të kthehet në kabinet. Me këtë emërim, Erdoan dërgon një sinjal drejt stabilizimit të gjendjes ekonomike. Deri më tani, Erdoan është përzier tepër në punët ekonomike, nga të cilat nuk merr vesh aq, përveç bindjes fetare-ideologjike kundër kamatave. Me politikën e tij të kamatave të ulëta ai ka thelluar krizën ekonomike në Turqi. Emërimi i Simsek është paralajmërim i ndryshimit të kursit ekonomik.

Në kabinetin e ri mungon edhe emri i ministrit të deritanishëm të Jashtëm Mevlut Çausholu. Për gati 10 vjet ai ka drejtuar diplomacinë turke. Në të ardhmen këtë do ta bëjë Hakan Fidan, shef i shërbimit sekret MIT. Fidan është njeri i besueshëm i presidentit, të cilin e ka shoqëruar në shumë vizita jashtë vendit. Po ashtu Fidan ka drejtuar shumë operacione sekrete si në Siri kundër kurdëve si në vende të tjera, ku shërbimi sekret turk ka ndjekur ata që i konsideronte mbështetës të lëvizjes së Fetullah Gylenit, një predikues i cili një kohë të gjatë ka qenë i afërt me Erdoanin, i cili e akuzon Gylenin se ka orkestruar tentimin për puç më 2016. Shef i ri i shërbimit sekret turk është caktuar Ibrahim Kalini, deri më tani zëdhënës dhe këshilltar kryesor i presidentit Erdoan.

Në postin e ministrit të Mbrojtjes Erdoan ka emëruar Jashar Gylerin, i cili që nga viti 2018 drejton Shtabin e Përgjithshëm të Armatës Turke. Qeveria e re turke ka 18 ministra. Prej tyre vetëm një është grua. Ozdemir Goktash do të jetë ministre për çështje të familjes. Ajo u lind në Belgjikë dhe më 2009 ishte e para politikane me shami që u zgjodh në parlamentin e qytetit të Brukselit. Në Belgjikë ajo ishte anëtare e partisë konservatore CDH, nga e cila u përjashtua pasi refuzoi të dënojë gjenocidin e Perandorisë Osmane ndaj armenëve. Në vitin 2020 ajo u emërua ambasadore e Turqisë në Algjeri. 17 ministra burra dhe një grua – ky është një sinjal i qartë se pushteti në Turqi është punë burrash.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit