Shkrija e Akademisë së Studimeve Albanologjike do të jetë temë diskutimi ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët e opozitës kanë thirrur një interpelancë me ministren e Arsimit, Evis Kushi. Interpelanca me ministren do të kryhet nga deputetja përgjegjëse për çështjet e arsimit dhe kulturës, Ina Zhupa.
Opozita thotë VKM për shkrirjen e Studimeve Albanologjike shkel rëndë Ligjin nr. 80, për Arsimin e Larte dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, si dhe Ligjin për Akademinë e Shkencave.
Këshilli i Ministrave, ka vendosur shkrirjen e institutit të Akademisë së Studimeve Albanalogjike dhe transferimin e saj te Akademia e Shkencave. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se një vendim i tillë ishte i domosdoshëm për rritjen e nivelit të kërkimit shkencor, duke theksuar se ASA si institucion nuk ishte i akredituar ndërsa prej 8 vitesh nuk kishte regjistruar asnjë student.
Vendimi u përshëndet nga Akademia e Shkencave. Ndërsa në një deklaratë, senati i ASA-s tha se vendimi i Këshillit të Ministrave është tërësisht politik, duke e konsideruar si dëm shumë të madh për kërkimin shkencor si dhe për marrëveshjet ndërkombëtare të firmosura me institucionet e huaja.