“Basha duhet të shkojë gjashtë vite në burg. Nuk është i gatshëm dhe ndaj Edi Rama e përdor. Po e përdor për herë të dytë”.
Kështu u përgjigj Sali Berisha sot kur u pyet në lidhje me rikthimin e Lulzim Bashës në skenën politike për të rimarrë drejtimin e PD-së zyrtare. Për dënimin, Berisha i referohet dosjes së lobimit që sipas tij në Shqipëri e mbylli qeveria Rama.
Për draftin për Asociacionin në veri, që Edi Rama i dorëzoi Gjermanisë dhe Francës, Berisha tha se kryeministri i Shqipërisë është në sintoni me Presidentin serb Vuçiç duke synuar po sipas tij ndarjen e Kosovës.
“As që e kam lexuar dhe nuk kam asnjë interes. Unë u them atyre që përpiqen të përdorin Ramën, vetëm sa komplikoni zgjidhjen e problemit. Çështja e Asociacionit nuk është çështje drafti. Draftin e Ramës, sigurisht e ka shkruar Vuçiçi. Kjo është për t’i thënë Albin Kurtit, që ti as këtë që ka hartuar Tirana, nuk e pranon.
Kjo është një thikë pas shpine, që Aleksandër Vuçiç, doktrinari i gjenocidit, arrin t’i fusë Kosovës përmes vasalit të vet, Edi Rama. Nuk është asgjë tjetër, Brukseli, Uashingtoni, Londra, Parisi, Berlini kanë grupet më të shkëlqyera të ekspertëve, por për hir të së vërtetës, ai draft duhet të hartohet nga ata që do e zbatojnë.
Futja e Edi Ramës në mes, ishte vetëm për t’i futur një thikë, siç bëri me hartat. Kush vraponte me hartat e ndarjes së Kosovës dhe kufijve? Iniciatori i atij projekti, rezulton sipas burimeve shumë serioze të jetë Edi Rama, pra të jetë Vuçiçi përmes argatit të tij” tha Berisha.