Dy politikanët shqiptarë, Genci Nimanbegu dhe Nik Gjeloshaj kanë pohuar se e ardhmja e shtetit malazez është në Bashkimin Evropian.
Mali i Zi po mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare pas rrëzimit të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Dritan Abazoviç. Nimanbegu i “Aleancës Shqiptare” ka pohuar se shqiptarët së bashku me pakicat e tjera do të jenë pjesë e qeverisë së ardhme malazeze.
“Absolutisht është e ditur se nuk ka rrugë drejt Bashkimit Evropian pa përkrahjen e pakicave autoktone. Ky do të jetë edhe çelësi i qeverisë së ardhshme. Shqiptarët së bashku me pakicat tjera do të jenë kyç në krijimin e qeverisë së ardhshme”, pohoi ai.
Ndërkohë, Gjeloshaj i “Forumi Shqiptar” ka deklaruar se Mali i Zi do të vazhdon rrugëtimin euro-atlantik.
“Unë besoj se qytetarët do të tregojnë sot se kush do t’i drejtojë në katër vitet e ardhshme. Besoj se Mali i Zi do të vazhdojë orientimin euro-atlantik”, tha ai.
Ndryshe, Abazoviç që drejton lëvizjen qytetare, Ura, ka pohuar se “Koalicioni ynë do të jetë shtylla kryesore e qeverisë së ardhshme malazeze”
“Mendoj se është herët me fol, por jam i bindur se koalicioni jonë do të jetë shtylla kryesore e qeverisë së ardhme. Çfarë nënkupton ajo, do ta shohim në javët e ardhshme”, pohoi Abazoviç.