INSTAT ka nisur punën prej kohësh për censusin, regjistrimin e popullsisë, por që është shtyrë disa herë me justifikime të ndryshme. Megjithatë këtë herë duket se e ka seriozisht. Afati i fundit për nisjen është vendosur në shtator të këtij viti. Për këtë arsye, përgatitjet kanë hyrë në fazën e fundit. Sot INSTAT ka hapur tenderin për makina me qira për periudhën që do të zgjasë regjistrimi. Procedura është hapur për furnizim me automjete me qira për CENS-in në qark dhe bashki.
INSTAT kërkon 67 makina me qira në nivel qarku dhe bashkie për procesin. 13 makina kërkohen nga data 12.07.2023 deri në datë 12.12.2023 dhe 54 makina nga data 28.08.2023 deri në datë 28.11.2023 për lëvizjet nëpër qarqe dhe bashki. Për këtë shërbim për pesë muaj INSTAT do të paguajë 300 milionë lekë la llogaritur TVSH-në.
Censi i popullsisë dhe banesave do të zhvillohet në shtator 2023. Puna në terren do të zgjasë gjashtë javë. Risitë janë përdorimi i pajisjeve elektronike (tabletë), të cilat do të zëvendësojnë pyetësorët letër për procesin e mbledhjes së të dhënave në terren dhe modernizimi i sistemit të informacionit, mbledhja, monitorimi, analiza dhe shpërndarja e të dhënave. Censi do të shërbejë si bazë për konceptimin dhe krijimin e regjistrave statistikorë të popullsisë banuese, ndërtesave dhe banesave.