Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat mbrëmjen e sotme ku ka deklaruar se ka kërkuar që mbledhja e përbashkët e dy qeverive të mos mbahet nesër, por të ketë një takim të ngushtë me Albin Kurtin.
“Është një komunikim i jashtëzakonshëm i cili lidhet me takimin e nesërm të dy qeverive në Gjakovë. E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar.
A do të anulohet mbledhja mes dy qeverive? Reagon zëdhënësi i Kurtit
I kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në një format më të ngushtë, me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes për të diskutuar për këtë situatë që po çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme ku kjo e fundit ka vënë gishtin në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë.
Për fat të keq nuk kemi pasur dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit. Ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutojmë dhe për këtë, por kjo nuk është e mundur sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot.
Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit. Shpresoj shumë të takohemi për të ballafaquar opinionet kur jemi në prag të vënies në zbatim të planeve për masa shtrënguese të një shteti të krijuar nga ata që qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit”, tha Rama.