Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të enjten se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.
Borrell e ka bërë këtë deklaratë në prag të një takimi me ministra të NATO-s.
“Bashkëpunimi mes Bashkimit Evropian dhe NATO-s shkon përtej Ukrainës. Për shembull, në Kosovë ditëve të fundit u pa se sa i rëndësishëm është ky bashkëpunim dhe dëshiroj të falënderoj KFOR-in dhe komandantin e KFOR-it për punën që po bën në veri të Kosovës”, ka thënë Borrell.
“E dini se ka ndodhur një incident me arrestimin e tre policëve nga Kosova dhe po përpiqemi të kuptojmë se çfarë ka ndodhur saktësisht. Jemi në kontakt të ngushtë me Komandën e KFOR-it dhe me të dyja palët, në mënyrë që të shohim çfarë saktësisht ka ndodhur që ka çuar deri te ky arrestim”.
Më 14 qershor, autoritetet e Kosovës kanë thënë se tre zyrtarë të saj policorë janë rrëmbyer nga autoritetet e Serbisë, në afërsi të pikës kufitare.
Serbia, në anën tjetër, ka thënë se i ka arrestuar policët e Kosovës, në thellësi të territorit serb.
Duke folur për situatën aktuale në Kosovë, Borrell ka thënë se, aktualisht gjithçka është kthyer në fazën e menaxhimit të krizave dhe do t’i ftojë palët në një takim urgjent.
“Duhet të bëjmë thirrje për qetësi në terren. Duke parë situatën, duke u përkeqësuar, jemi kthyer në fazën e menaxhimit të krizave. Unë do t’i ftoj dy palët, Kosovën dhe Serbinë, për një takim për menaxhimin e krizave, javën që vjen, në Bruksel”, ka deklaruar Borrell.









