-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kim Mehmeti: Përparësia e Vuçiçit kundër Kosovës është përkrahja e Ramës?!

Kryesoret

Mund të ndodhë që Kryeministri i Kosovës “të çmendet” deri në ato përmasa sa t’i shpallë luftë edhe NATO-së dhe kjo të na çojë të gjithëve t’i themi se është duke e marrë në qafë popullin, por megjithatë, është e turpshme, është perverse që në emër të “lojërave globale”, t’ia kthesh shpinën Kosovës, t’i bëhesh krah atij që e urren popullin tënd, atij që gjithë potencialin diplomatik e përdorë për ta copëtuar Kosovën e për ta futur në grackë Prishtinën.

Dhe mundë të ndodhë që Kryeministri i Kosovës ta humbë besimin e gjithë diplomacisë botërore, por përderisa atij i besojnë shqiptarët, përderisa ai përballet me mjeshtërit e gjakderdhjeve të Beogradit, është e turpshme, është sjellje monstruoze, ta ndihmosh vrasësin e popullit tënd me arsyetimin se Shqipëria nuk “qenka UFO”, se ajo na paska obligime ndërkombëtare që e çliruakan nga obligimet kombëtare, se ato obligime e pamundësuakan Tiranën zyrtare të solidarizohet me vëllezërit e saj të rrezikuar nga Serbia luftëndjellëse.

Po pra, mund të ndodhë që Kryeministri i Kosovës ta humbë mbështetjen e gjithë botës, por Tirana zyrtare nuk guxon ta bëjë turpin e paimagjinueshëm: që të mos shqetësohet as kur Kosovës ia kidnapojnë policët dhe ta ndihmojë Serbinë në pafytyrësinë e saj të tregohet “paqedashëse”, duke u distancuar nga Prishtina “luftënxitëse”!

Edhe Turqia ishte pjesë e NATO-së dhe mike e Perëndimit, por në vitin 1974, kur u rrezikuan turqit e Qipros, nuk pyeti kush ishte fajtor, por i doli në mbrojtje popullit të saj, sepse Ankaraja e dinte se mospajtimet me të huajt edhe mund t’i zgjedhësh, por turpin dhe perversitetin që t’ia kthesh shpinën vëllait tënd të kërcënuar nga armiku, e përqesh e gjithë bota dhe atë nuk ta shlyen nga fytyra asnjë aleancë ndërkombëtare.

Po ne jemi popull i vogël, ne nuk mund të pretendojmë të sillemi si ata që edhe nuk varen gjithaq nga forcat globale; ne shumëçka nuk mundemi pa mbështetjen e SHBA-ve, por ne nuk duhet të tregohemi aq të mjerë, aq të padinjitetshëm dhe aq të pafytyrë, sa në rrethanat kur Serbia do ta copëtojë Kosovën, të bëhemi krah i Vuçiçit, gjë që me shumëçka është duke e bërë strategu i përmasave globale, por mbase fytyra më besnike e mjerimit tonë politik – Kryeministri i sotëm e Shqipërisë!

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit