Kosova ishte kryefjalë e seancës së sotme të Kuvendit. Edi Rama mungoi. Sali Berisha e akuzoi se po qëndron në krah të presidentit serb në situatën e fundit që është krijuar në veri.
“Kosova është një vend i pavarur me qeveri legjitime dhe se në dialogun Kosovë-Serbi, Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të implikohet, përzihet në asnjë moment.
Kjo së pari sepse nëse përzihet Shqipëria, për definicion qëndron në anën e Kosovës dhe askush nuk mund ta besojë Shqipërinë si ndërmjetës të paanshëm. Por në rastin e Ramës, ai qëndron në anën e Vucicit” tha Berisha.
Edhe anulimin e mbledhjes mes dy qeverive, Berisha e konsideron një akt antishqiptar të Ramës. Pasi akuzoi Ramën për draftin, u shpreh se ai veçse e përkeqësoi gjendjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Paraqitja që ai bëri projektit të Asociacionit ishte ndërhyrja më brutale në çështjen më delikate në punët e brendshme të Kosovës.
Në një akt antikombëtar, antishqiptar, duke e konsideruar Kosovën, jo si vend të pavarur, por vasal, anuloi takimin me qeverinë e Kosovës, sepse ajo nuk pranoi të diskutojë për draftin e tij të marrë në sirtaret e Vuçiçit.
Ai bëri një provokacion të rëndë dhe përkeqësoi më tej gjendjen e dialogut të vështirë mes Prishtinës dhe Beogradit. Rama e bëri këtë jo vetëm si shërbim ndaj Beogradit, por e bëri sepse Korriku po vjen, ai është në hetim të hapur për aferën McGonigal.
Ai flet për komunitetin euroatlantik, por është i vetmi që i ka kompromentuar një nga njerëzit më të rëndësishëm udhëheqësit”, u shpreh Berisha.