Një 33-vjeçar është arrestuar nga policia e Himarës pasi shiste kokainë në një Tabakino si dhe ka proceduar penalisht pronarin e tabakinos, pasi e kishte punësuar në mënyrë të paligjshme.
“Si rezultat i operacionit të koduar “Parts 8”, u arrestua në flagrancë shtetasi me inicialet F. Gj., 33-vjeç, banues në Dhërmi, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 53-vjeç, banues në Dhërmi, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Punësimi i paligjshëm”. Në subjektin “Tabacchino” me pronar 53-vjeçarin, policia ka ushtruar kontroll fizik ndaj 33-vjeçarit, i cili ishte i punësuar në mënyrë të paligjshme në këtë subjekt.
Atij i janë gjetur dhe sekuestruar doza me lëndë narkotike kokainë gati për shitje dhe një thikë. Gjithashtu, gjatë kontrollit të subjektit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 18 paketa me cigare pa pullë fiskale, 3 650 euro dhe 154 200 lekë të rinj.“, njofton policia.