“Serbët në veri të Kosovës po planifikojnë që së shpejti të fillojnë formimin e Asociacionit të kominave me shumicë serbe dhe organeve të tij”.
Kështu shkruan media serbe ‘Blic’ ku nënvizohet se një mjek, ish kryetar i komunës së Zveçanit do të propozohet për kryetar të Asociacionit. Sipas mediave serbe, është planifikuar që selia e Asociacionit të jetë në Mitrovicë të Kosovës.
“Marrëveshja e Brukselit është nënshkruar më shumë se 10 vjet më parë. Për më shumë se 3700 ditë, Asociacioni i Komunave Serbe nuk është formuar dhe pas gjithçkaje që kemi duruar ditët e fundit, është e qartë se askush nuk e dëshiron realisht: as autoritetet në Prishtinë, as bashkësia ndërkombëtare. Prandaj ne do t’i marrim gjërat në duart tona – shprehet një serb për median ‘Blic’.
Siç shkruan “Blic”, struktura e Bashkësisë së Komunave Serbe nëse formohet pritet të përbëhet nga këto organe:
– Kuvendi, si organi më i lartë, do të përbëhet nga përfaqësues të caktuar nga secili kuvend i komunave anëtare nga radhët e këshilltarëve të zgjedhur.
– Presidenti përfaqëson Komunitetin dhe asistohet nga nënkryetari. Kryetarin dhe nënkryetarin i zgjedh Kuvendi nga radhët e këshilltarëve të komunave anëtare dhe kryetarëve të tyre.
-Këshilli përbëhet nga maksimumi 30 anëtarë nga radhët e banorëve të komunave anëtare, duke përfshirë të gjithë kryetarët e komunave anëtare.
– Një komision i përbërë nga shtatë anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi nga radhët e kryetarëve të komunave dhe banorëve të komunave anëtare.
– Administrata, e drejtuar nga Shefi i Administratës.
– Zyra e Ankesave, e cila do të ketë mandatin të shqyrtojë ankesat në lidhje me objektivat.