Urime të përzemërta zotit Udri për 7 Qarqet që “Vula” i besoji për të drejtuar në fushatën e rikthimit dinjitoz të Liderit të vogël historik më 29 Korrik! Lideri po kthehet si kalorës. Gjithmonë kemi patur besim tek Udri qëkur u shfaq si meteor në politiken shqiptare.
Elokuenca ka qenë pika e tij e fortë. Inteligjenca krahu i djathtë. Mendimi ai i majti. Vezët forca propulsive e aksionit. Ai është njeri modest, ka pranuar vetëm shtatë ndonëse aftësite dhe mundësitë i ka për shumë më tepër! E ka bërë këtë se nuk ka dashur te kompleksojë Zupin, Dupin, Dokupin e të tjerët që të marrin së paku nga 5-6 qarqe qe ta ndjekin si shembull pozitiv.
Gjithsesi emocionohemi kur shohim se si një bir i thjeshtë i popullit punonjës me përkushtim templaresh ndaj Vulës bën mrekullira. Për të ajo është si Grali i shenjtë.
Ai ja del te kryejë detyrat e dhëna pa u demoralizuar. Partinë që nuk e ekziston e ribën. Mungesa e njerëzve i bën shoqëri. Vështirësitë janë shtroja dhe mbuloja. Horizonti është pika e shikimit. Pa rëne në peshe apo depresion nga turpi. Me 8 luanë të tillë vula kafshon gjithë politikën. Ajo i kthen dinjitetin opozitës dhe shpresën vendit.
Tek kompjuteri i Udrit hidhen themelet e së ardhmes së Liderit të vogël historik. Aty vula bën jatak. Qe ankuar Belo i gjore se i vodhën kompjuterin me shënime e kujtime. Më qe dukur qaramanllëk. i thashë të jap kompjuterin tim bashkë me satirat po vari turinjtë, ju duk shpoti.
Kompjuteri i Udrit mos e dhente Zoti të humbasë se nuk mbetet asgjë nga vula. Pastaj s’ka anëtarë e as zgjedhje në fund të korrikut. Ky po qe do ishte hall. Shqipëria po pret Liderin hipur mbi kompjuterin e Udrit si Pegaso aty ku prehen miliona mbështetës të Vulës.
Analizë satirike për zgjedhjet brenda PD-së zyrtare