Për të tretën herë me radhë, pjesëtarë të komunitetit serb kanë marshuar të hënën nga qendra e Mitrovicës së Veriut deri në Zveçan, si shenjë mbështetjeje ndaj serbëve të arrestuar javëve të fundit nga autoritetet e Kosovës.
Në mesin e të arrestuarve janë: Dushan Obrenoviç, Radosh Petroviç, Millun Millenkoviç-Llune, Dalibor Spasiç, Urosh Vukasinoviç, Nemanja Vlashkoviç, Millan Bozhoviç dhe Sllagjan Trajkoviç.
Spasiç ditën e sotme iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh pasi dyshohet për sulm ndaj gazetarëve në veri të vendit.
Tubimi është organizuar nga një shoqatë që mbledh sportistë në veri. Pjesë e tubimit kanë qenë edhe mjekët dhe stafi mjekësor i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicës.
Pjesëmarrësit e tubimit janë pritur me duartrokitje nga qytetarët e mbledhur afër ndërtesës komunale në Zveçan, të cilët protestojnë aty prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarit të ri shqiptar në ndërtesë.
Protesta të njëjta, dhe për arsye të njëjta, organizohen edhe në Leposaviq dhe Zubin Potok. Protestuesit kërkojnë edhe tërheqjen e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga ajo zonë.
Protestuesit i kanë kërkuar komunitetit vendor dhe atij ndërkombëtar që t’i mbrojnë ata, nga siç kanë thënë “terrori” i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe që të lirohen serbët “e pafajshëm”.
Ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviç, ka thënë në protestë se, që tri javë po i tregojnë botës se po arrestohen biznesmenë, sportistë, studentë dhe teknikë mjekësorë.
Ai ka thënë se nuk mund të ulen tensionet në veri, derisa të mos lirohen këta serbë dhe të mos largohen njësitet speciale të Policisë së Kosovës nga ajo pjesë.
Millun Millenkoviç – Llune është arrestuar më 13 qershor në Mitrovicën e Veriut, në një aksion të forcave speciale të Policisë së Kosovës./REL
Artikulli i plotë këtu.