Këshilli Kombëtar i PD-së, vendosi sot që strukturat të nisin punën për përgatitjen e procesit zgjedhor të 29 Korrikut për zgjedhjen e lidershipit të ri. Në fund të mbledhjes, tre deputetë të PD-së, nga shtatë që ishin të pranishëm në total dolën në jnë deklaratë për mediat. Flutura Açka, Kreshnik Çollaku dhe Arbi Agalliu njoftuan se vendimet u miratuan; zgjedhjet e komisionit zgjedhor dhe udhëzimi për strukturat që të nisë procesi.
“T’u japim demokratëve një kryetar dinjitoz” tha Açka. Deputetja e PD-së kishte një përgjigje për bojkotin e 17 deputetëve të PD-së me Gazment Bardhin në krye. “Ne nuk i bëmë “delete”. Cdo deputet dhe anëtar ka lirinë që të mendojë, të thonë mendimin e tyre të marrin ose jo pjesë. Rëndësi ka që shumica vendos dhe vendimet duhet të zbatohen” tha ai. Kreshnik Çollaku tha se “kjo është partia e vetme që prodhon një debat, ndan mendime. Zoti Bardhi është një mik, drejtues i grupit, ka një kontribut”.
Më pas u rebelua me gazetarët kur u pyet për deklaratat e Gazment Bardhit për shifrat e anëtarëve të këshillit dhe rikthimin e Lulzim Bashës. “Kuorumi u bë, vendimet u morën, të tjerat janë histori. Secili ka vlerësimin e vet. Nga debati nuk përçahemi. Ne jemi një grup. Jemi bashkë. Ju (gazetarët) bëni manipulime. Oooo! Ju lutem shumë, ne kemi dhënë një shifër, zotëria (Bardhi) ka dhënë një shifër. Mos më thoni, as mua dhe as atij që manipuloni. Referohuni sekretariatit të PD-së” tha ai.