Tensionet aktuale mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë temë e bisedës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, të hënën, 19 qershor 2023, në Berin.
“Angazhimi i NATO-s ndaj mandatit të OKB-së është i pathyeshëm”, tha Stoltenberg pas takimit në Berlin.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të siguruar që mjedisi atje të jetë i sigurt dhe do t’u japim të gjithë të përfshirëve të njëjtin nivel sigurie. Nëse është e nevojshme do të ndërmarrim hapa të mëtejshëm, por do te vazhdojmë dialogun e nisur nga BE.”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e falënderoi Scholz-in për rolin udhëheqës që ka marrë në këtë çështje.
Ndërkohë Gjenerali Angelo Michele Ristuccia, kreu i forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR, i kërkoi të hënën Prishtinës dhe Beogradit që të fillojnë bisedimet dhe të ndalojnë “retorikën e tyre të padobishme”:
“Unë përsëri u bëj thirrje të dyja palëve që të shmangin retorikën e panevojshme dhe ta përballojnë këtë sfidë duke u kthyer në tryezën e bisedimeve, e cila është mënyra e vetme për të zgjidhur situatën”, u tha ai gazetarëve në selinë e KFOR-it në Prishtinë./DW