Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në ambientet e spitalit të Vlorës mesditën e 19 qershorit, ku familjarët e 35-vjeçarit që humbi jetën nga korrenti kanë dhunuar një polic.
I riu Arbër Ferati ra në kontakt me rrymën elektrike të tensionit të lartë teksa po punonte me autokombajnë.
Ai është transportuar me autoambulancë në spitalin e Vlorës. Por në momentin që familjarët kanë tentuar të hapin derën e ambulancës kur mbërriti në spital, ajo është bllokuar.
Familjarët e viktimës kanë përdorur forcën për të hapur derën e mjetit ku ndodhej 35-vjeçari, por për këtë iu është dashur disa minuta.
Pas kësaj, ata janë irrituar duke sulmuar një prej policëve në spitalin e Vlorës. Bluza të bardha dhe efektivë të tjerë të pranishëm kanë ndërhyrë për t’i ndarë, ndërsa një prej të afërmve të 35-vjeçarit është shoqëruar në komisariat.
Për këtë sherr të ndodhur në dyert e spitalit të Vlorës nuk ka pasur asnjë njoftim nga ana e policisë.