Djali i Presidentit amerikan Joe Biden, Hunter Biden, ka arritur një marrëveshje me Departamentin e Drejtësisë për t’u deklaruar fajtor për dy akuza federale që lidhen me mospagesën në kohë të taksave nga ana e tij, në vitin 2017 dhe 2018. Po kështu 53 vjeçari do të deklarohet fajtor edhe për zotërimin e një armë gjatë kohës që ishte përdorues droge.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë, Departamenti i Drejtësisë ra dakord të mos ngrinte akuza ndaj zotit Biden lidhur me blerjen e një pistolete në vitin 2018, kohë gjatë së cilës ai ishte përdorues droge ndërsa në dokumentin që shoqëronte blerjen e armës ai pretendonte të kundërtën.
Sipas marrëveshjes Hunter Biden-i duhet të mos përdorë drogë për dy vjet dhe të mos zotërojë më kurrë një armë zjarri.
Falë këtyre marrëveshje zoti Biden nuk ka gjasa të dënohet me burg. Ai do të lirohet me kusht, kohë gjatë së cilës do të mbahet nën vëzhgim nga autoritetet.
Hetimet ndaj Hunter Biden-it u kryen nga David Weiss, kryeprokuror i shtetit të Dellauerit, i cili u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump, dhe u mbajt në detyrë edhe pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të Joe Biden-it, me synimin për të vazhduar të trajtojë këtë çështje me ndjeshmëri politike.
Në një deklaratë, avokati i Hunter Biden-it, Christopher Clark tha se “me arritjen e këtyre dy marrëveshjeve mes klientit të tij dhe zyrës së Prokurorit të Dellauerit, hetimi pesëvjeçar ndaj Hunter Biden-it ka përfunduar”.
Por më vonë prokurori Weiss tha se hetimi ishte “në vazhdim”./VOA
Artikulli i plotë këtu.