Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska ka miratuar ndryshime në një ligj që thotë se vendimet e përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë më nuk do të njihen. Gjatë një seance të jashtëzakonshme më 21 qershor, deputetët miratuan ndryshimet në Aktin për publikimin e ligjeve dhe rregullatorëve të tjerë.
Miratimi i këtyre ndryshimeve u trajtua si çështje me urgjencë. Pesëdhjetë e katër nga 61 deputetët e pranishëm votuan për ndryshimet, ndërkaq shtatë abstenuan. Ky vendim po shihet si pjesë e përpjekjeve të disa zyrtarëve për shkëputjen e Republikës Sërpska.
Po ashtu, ky vendim është në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995 që i dha fund luftës së Bosnjës. Sipas kësaj marrëveshjeje është instaluar një i dërguar ndërkombëtar që mbikëqyrë zbatimin e paqes.
Serbët në entitetin e Republikës Sërpska, nuk e njohin Christian Schmidt, i cili u emërua përfaqësues i lartë më 2021, pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk e ka përkrahur emërimin e tij.
Përfaqësuesi i lartë ka fuqi të shkarkojë zyrtarë dhe të hartojë ligje pasi është interpretuesi i fundit i Kushtetutës edhe pse vendimet e tij mund të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës.
“Sot, Bosnje e Hercegovina nuk ka përfaqësues të lartë. [Schmidt] nuk është përfaqësues i lartë dhe ky është mesazhi i Republikës Sërpska”, tha në Parlament Radovan Viskoviq, kryeministër i Republikës Sërpska.
Më herët gjatë javës, Schmidt paralajmëroi se serbët do të përballeshin me pasoja – të paspecifikuara – nëse ata shkelin marrëveshjen e paqes apo refuzojnë të pranojnë vendimet e tij./REL