Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për masat e paralajmëruar ndaj Kosovës në lidhje me tensionet në veri.
Gjatë fjalës së tij Kurti u shpreh se Bashkimi Europian gjen te Kosova aleatin më të sinqertë dhe të qëndrueshëm të parimeve demokratike.
Ai shtoi se ata kanë qenë kritik ndaj BE-së por nuk kanë qenë kurrë as cinik e as të hidhëruar.
“Më lejoni të adresoj një zhvillim të fundit. Komisioni Evropian dje ka paraqitur para Bashkimit Evropian një listë të masave kundër Kosovës.
Bashkimi Evropian te Kosova e gjen partnerin e aleatin më të sinqertë e të qëndrueshëm në rajon të vlerave evropiane, parimeve demokratike e interesave afatgjate. Kosova të tillë e ka qeverinë, popullin. Së pari popullin e pastaj qeverinë.
Me raste kemi qenë kritikë ndaj Bashkimit Evropian, por asnjëherë as cinik e as të hidhëruar. Nuk jemi as sot, kur në dhjetor dorëzuam aplikacionin tonë për anëtarësim, besuam që në të ardhmen e parashikueshme të jemi pjesë e këtij unioni.
Raporti i fundit për vendin tonë e përshkruan e vlerëson Kosovën në dritën më pozitive ndonjëherë, si në luftën ndaj krimit e korrupsionit, ashtu edhe në avancim të kornizës ligjore.
Aty e gjejmë hijen e vërtetë të BE-së, si organizëm mbikombëtar i drejtë e meritokratik.
Pavarësisht zhvillimeve rrethanore, ne vlerësojmë ndihmën e BE-së përgjatë këtyre viteve, dhe mezi e presim pyetësorin për anëtarësim, sepse Evropa është kontinenti ynë, e BE-ja fati ynë”, deklaroi Kurti në mbledhjen e qeverisë.