Një zjarr masiv ka përfshirë sot fushën e mbetjeve të qytetit të Vlorës. Nga zjarri është përfshirë një sipërfaqe e konsiderueshme toke ndërkohë që forca të shumta zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e flakëve prej disa orësh. Katër automjete zjarrfikëse ndodhen në zonën e fushës së mbetjeve.
Pavarësisht ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse por edhe të ujësjellësit, situata paraqitet problematike. Banesat nuk rrezikohen nga zjarri. Situata do të vijojë të mbetet e tillë edhe në orët në vijim pasi po tentohet që të bëhet e mundur shuarja e zjarrit.
Nga informacionet paraprake, dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Kjo nuk është hera e parë që fusha e mbetjeve përfshihet nga flakët.