Kryeministri Edi Rama prezantoi sot reformën për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Për një dekadë në pushtet, pranoi gjendjen e keqe ku ndodhet ky institucion. Fajin e gjeti dhe ua vendosi ministrave, deputetëve dhe kryetarëve të bashkive që sipas tij janë futur duart në Kadastër.
“Kadastra nuk është për “qoka”. Kadastra është penguar në radhë të parë nga ju. Këtu nuk kam parasysh secilin prej jush, por kategorinë që përfaqësoni, deputetë, ministra, kryetarë bashkish. Për të vazhduar më tutje, të gjithë ata që kanë sadopak pushtet.
Që i kanë dhënë vetes të drejtën që të interferojnë me kadastrën për të gjitha llojet e nevojave. Që nga influenca për emërimet e drejtuesve, deri në imponim, tek influenca për punonjës në Kadastër, për mbështetje për njërin apo tjetrin deri në imponim duke e penguar që të bëhet ajo që duhet të jetë, banka e sigurt e pronës së patundshme të shqiptarëve. Kjo është e vërteta e hidhur.
Aktori kryesor i kësaj historie të zymtë është korrupsioni. Kur gjenerali shkul një mollë, ushtarët marrin të gjithë pemën, ka bërë që për shkak se influenca politike mbi Kadastrën e deputetëve, e kryetarëve të bashkive ka qenë shumë e pranishme.
Atëherë të tjerët kanë bërë njëmijë fishin e asaj që kanë qenë të detyruar nga lidhjet miqësore, familjare, klanore. Dua ta them me gojën plot dhe kokën ulur, sot është dita për t’i kërkuar një ndjesë shumë të madhe të gjithë shqiptarëve që kanë kaluar në zinxhirin e torturave në Kadastër. Kjo është ndjesa e një kryetari partie” tha ai.