Përfaqësuesi i Lartë i Komunitetit Ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, anuloi ligjet anti-Dayton të miratuara nga Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Sërpska, lidhur me mospublikimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Schmidt gjithashtu mori një vendim për ndryshimin e Kodit Penal të Bosnje dhe Hercegovinës në mënyrë që veprimet që cenojnë rendin kushtetues të trajtohen si vepër penale.
“Kuvendet e entiteteve nuk kanë autoritet të shmangin dispozitat e Bosnje dhe Hercegovinës dhe nuk kanë të drejtë të shmangin juridiksionin e institucioneve kyçe të Dejtonit”, tha Schmidt duke shpjeguar vendimet më 1 korrik.
“Ky është një sulm ndaj Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës dhe një përpjekje për ta kërcënuar ligjin dhe kuadrin kushtetues të vendit dhe elementet kyçe të Dejtonit, siç janë vendimet e përfaqësuesit të lartë”, shtoi ai.
Ambasada e SHBA-së në Bosnje dhe Hercegovinë përkrahi vendimet e Schmidt dhe paralajmëroi se “do të ketë pasoja” për veprimet e Asamblesë Kombëtare të entitetit të Republikës Sërpska.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të Bosnjë-Hercegovinës dhe do të vazhdojnë të mbajnë përgjegjës për veprimet e tyre individët e përfshirë në sjellje anti-Dayton”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Vendimet e përfaqësuesit të lartë pasuan pasi Asambleja Kombëtare e entitetit të Republikës Srpska votoi për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës./REL
Artikulli i plotë këtu.