Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë në tensione gjatë seancës së fundit, ku deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, u përjashtua nga kryeparlamentari Niko Peleshi për shkak të një përplasjeje me fjalor jo parlamentar.
Deputeti i opozitës kërkoi që masa e përjashtimit të revokohej, duke akuzuar mazhorancën për tentativë të shkeljes së rregullave dhe për përpjekje për të parandaluar diskutimet mbi projektligjet e rëndësishme.
“Kemi që në orën 10:00 këtu, kemi marrë fjalën, është respektuar hapësira te opozita, madje opozita ka folur më shumë. Janë trajtuar çështjet dhe akuzat. Ishte një pikë jashtë këtyre temave, diskutohej për Agjencinë Arsimore. Unë nuk e kam ndërprerë fjalën asnjë deputeti gjatë seancës. Pse duhet t’ia ndërprisja një deputeti për një pikë që nuk është aq e nxehtë? Më besoni, zoti Boçi s’e kërkoi fjalën për replikë, doli aty, nuk u përgjigj, nuk po e përsëris se çfarë tha me gjuhën e vetë jo parlamentare, nuk po e përmend. Ndaj mori edhe masat, e kam atë maturi të mos nxehem, nuk e mora në gjaknxehtësi, por ai e shtoi dozën e shantazheve dhe sulmeve,” tha Peleshi, duke sqaruar arsyet e masës.
Nga ana e tij, deputeti Belind Këlliçi, përfaqësues i opozitës, kërkoi që masa e përjashtimit të revokohej, duke theksuar se në të kundërt opozita do të largohej në shenjë solidariteti. Këlliçi akuzoi mazhorancën për tentativat e vazhdueshme për të penguar diskutimet për projektligjet e rëndësishme dhe për përdorimin e praktikave të tilla për të ndaluar fjalën e deputetëve opozitarë kur ata flasin për çështje të rëndësishme. “Zoti kryetar, u bë e disata herë që në këtë sallë Parlamenti gjeni çdo artificë të mundshme për të prishur seancën sa herë që diskutohet ndonjë projektligj me rëndësi për qytetarët,” u shpreh Këlliçi. “Nëse ju nuk reflektoni, ne largohemi nga kjo seancë dhe ju vazhdoni diskutimet.”
/5pyetjet.al









