Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për ndarjen nga jeta të akademikut të njohur, Rexhep Qosja, duke shprehur ngushëllimet e tij më të thella për familjen e tij dhe për popullin shqiptar të Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Berisha ka theksuar se, pavarësisht mendimeve dhe qëndrimeve të ndryshme që ka pasur me akademikun Qosja, ai ka ruajtur gjithmonë një respekt të veçantë për figurën e tij dhe për rolin e tij të pazëvendësueshëm gjatë periudhave më të vështira për shqiptarët e Kosovës.
Postimi i plotë:
Akademiku Rexhep Qosja mbyll sytë përgjithmonë.
Të dashur miq, dielli perëndoi përgjithmonë për akademikun Rexhep Qosja.
Kultura, mendimi letrar dhe shoqëror e politik shqiptar, polemika dhe letrat shqipe humbën një kollos të tyre, autor të një seri veprash në këto fusha.
Pavarësisht nga kundërshti, mospajtime dhe vlerësime të ndryshme që kam patur me Prof. Rexhep Qosen kam ruajtur dhe do ruaj gjithmonë respektin dhe mirënjohjen time ndaj tij veçanërisht për kohën kur ai ishte zëri publik i vetëm i fuqishëm i shqiptarëve pa zë e të shtypur të Kosovës nga pushtuesi serb dhe më vonë për mbështetjen e palëkundur që i dha UÇK por edhe qëndrimet e tij kritike ndaj zhvillimeve në Kosovë dhe në Shqipëri.
Me këtë rast shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera, familjes miqëve të afërmëve dhe autoriteteve të Kosovës. I qoft dheu i lehtë i tokës amë.









