Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka reaguar sot rreth turit ballkanik të nisur nga Kryeministri Edi Rama. Berisha shkruan se Rama e nis këtë tur më i poshtëruar se kurrë ndonjëherë një kryeministër i një vendi sovran.
“Sot Edi Rama nis turin blic në vëndet e Ballkanit Perëndimor. Ai e nis këtë tur më i poshtëruar se kurrë ndonjëherë një kryeministër i një vendi sovran.
Së pari ai e nis turin i poshtëruar sepse për katër vite me rradhë, ai më shumë se kushdo tjetër në rajon kishte anatemuar procesin e Berlinit dhe kishte tundur në emër të padronit të tij flamurin e Ballkanit të Hapur, Serbisë së madhe, domethënë hegjemonisë serbo-ruse në rajon.
Kështu Edi Rama sot ulet para bashkëbiseduesve në tavolinë me bisht nën shalë dhe lutjen si i ngratë, mos kujtoni se jam Edi Rama i Ballkanit të Hapur.
Së dyti ai nis turin me “Ismailin” e tij në kurriz të takspaguesve shqiptar, më i poshtëruar se çdo kush tjetër, pasi për shkak të një ndërhyrje brutale në punët e saj të brendshme Kosova zyrtare:
I refuzoi prerazi dhe me dinjitet ofertën e tij për ndërmjetes i pakërkuar dhe hodhi në kosh projektin e tij të marrë nga sirtaret e Vuçiç për Asocacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kështu Prishtina bëri pluhur ëndrrën e tij, të ndërmjetësit, të negociatorit të cilin ai e konsideronte jetike për lëkurën e tij në një kohë kur ai është në hetim penal të hapur në Washington.
Së treti Edi Rama nis këtë tur i poshtëruar sepse ai ulet perballë interlokutorëve të cilët shohin në sfond prapa tij McGonigal-in e lidhur me hekura që e pret Ramën të mbarojë bisedën për ta marrë si të bashkëakuzuar në sallën gjyqit” shkruan ai.