Pohimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se janë identifikuar dhjetëra serbë që dyshohen për shkaktimin e dhunës dhe të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, ka rritur shpërndarjen e informacioneve të pavërteta në platforma të komunikimit, ku anëtarët janë kryesisht serbë të Kosovës.
Ditëve të fundit, në vazhdimësi janë publikuar lista me emra dhe me fotografi të, siç pretendohet, serbëve që pritet të arrestohen nga institucionet e sigurisë në Kosovë.
Qytetarët serbë të Mitrovicës së Veriut thonë se janë të frikësuar nga listat e ndryshme, që po qarkullojnë nëpër rrjete sociale.
“Thuajse çdo ditë ndodh nga një arrestim. Mendoj se ata po arrestohen pa bazë. Ata po arrestohen, e pastaj po krijohen provat. Nuk ndodh kështu askund në botë”, shprehet Dushan Vukoviç.
Njëjtë pohon edhe Savo Lomigora. “Si qytetar, jam i shqetësuar, dhe frika po rritet. Njerëzit me të vërtetë humbën besimin, dhe shumë prej tyre po largohen, pasi janë të frikësuar për fëmijët e tyre, për sigurinë e tyre”, thotë ai.
Ndërkaq, Sinisha Vukojeviq tregon se si gjithmonë është i frikësuar se mund të arrestohet, teksa kalon kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. “Së pari të arrestojnë, pastaj e vërtetojnë nëse je fajtor apo jo”, shprehet ai.
E, qytetarët serbë që jetojnë në jug të lumit Ibër thonë se nuk janë të frikësuar nga arrestimet që kryejnë institucionet e Kosovës dhe se nuk iu “interesojnë” listat eventuale, pasi, siç thonë ata, “janë të sigurt se nuk kanë asgjë për të fshehur”./REL
Artikulli i plotë.