-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: Bisedë me Ekrem Bardhën për Klintonin dhe shqiptarët

Kryesoret

Në median shqiptare, por jo vetëm, në të gjithë këto ditë vizita e ish Presidentit Amerikan, Bill Klinton ishte në qendër të vemendjes. Në fakt, Ai do të jetë përtësisht njëri nga gur themelet e pavarësisë së Kosovës dhe është në të drejtën e tij, jo vetëm si burrështetas i shquar, që të shqetësohet për zhvillimet e tanishme, qëndrimet dhe ngjarjet që po ndodhin.

Ndoshta është e pabesueshme se sa lehtësisht, roli i tij madhor, ndoshta nga më meritoret që përfaqësuesi më i lartë i Shteteve të Bashkuara , nga media pranë opozitës apo që nxitin marrëzitë e politikës së tanishme në Prishtinë, u përpoqën të mohojnë vlerat dhe aspiratat që përmblodhi koha e tij presidenciale.

Nuk ka ndodhur në një ditë qëndrimi i Presidentit Klinton ndaj lirisë së Kosovës. Asgjë nuk ka qenë e rastësishme apo frut i mendimit të një çasti. Njeriu që tronditi botën me aktin e tij, duke vënë në lëvizje forcën më të madhe ushtarake, në mbrojtje të një populli të vogël, të cilin më shumë se 80 për qind e amerikamëve as nuk e dinin se ku ishte, nuk erdhi rastësisht në Tiranë, nuk dha mesazhet e tij rastësisht, dhe , jo pa dhimbje.

Rruga e tij drejt mendimit të lirisë së Kosovës ka qenë e gjatë.

Kohë më parë kam biseduar gjatë me zotin Ekrem Bardha, njëra nga figurat më të shquara të diasporës shqiptare në SHBA, në të njëjtën kohë edhe njeriu që në jetën e tij politike është takuar, si pak kush, me shtatë presidentë amerikanë.

Pjesë nga bisedat e ndryshme, po i sjell më poshtë. Ashtu si kanë ndodhur.

Bedri Islami

Botuar në DITA

Me 14 qershor 1996, u takova me Presidentin amerikan Bill Clinton dhe zv.presidentin Al Gore. Situata në Kosovë ishte e rrezikshme, ndërsa regjimi serb i Millosheviçit, pas konfliktit në Bosnje, po përpiqej të mbante nën dhunë shqiptarët e Kosovës. Më 14 dhjetor 1995, në Paris ishte nënshkruar marrëveshja e Daytonit që i dha fund luftës së gjatë tre vjet e gjysmë në Bosnjë Hercegovinë. Kryefjalë e këtij konflikti ishte genocidi serb mbi popullsinë e paarmatosur në Bosnje Hercegovinë, ndërsa vijonin të zbuloheshin varre masive të civilëve të vrarë nga ushtria serbe.

Presidenti Klinton, zakonisht njeri i qeshur, dashamirës, asaj dite ishte serioz, i vrenjtur, shqetësimi i dukej në sy.

Pasi uroi mirëseardhjen ishte i gatshëm të dëgjonte.

Ndodhesha ulur pranë tij. Mendova se ishte rasti e mundësia t’i thoshnim githë çfarë bluanim në vete.

– Diaspora Shqiptare në SHBA është e shqetësuar për shtrirjen e kofliktit në Kosovë, gjë që  siç duket do të ndodhë jo larg. Ne jemi të preokupuar shumë për këtë, pasi në ish – Jugosllavi jeton një popullsi kompakte shqiptare, me rreth tre milionë banorë. Ju, zoti President dhe ju, zoti zëvedëspresident nuk duhet të lejoni përhapjen e konfliktit në Kosovë, krahinën e populluar 90 % me shqiptarë. Serbët nuk kanë hequr asnjëherë dorë prej saj, duke e quajur pjesë të tyre. Një konflikt i armatosr në Kosovë, zoti Presidet do të ishte tragjedi e madhe për shqptarët që përsekutohen prej dekadash në atë vend. Diaspora Shqiptare në Shtetet e Bashkuara po bën të githa përpjekt përmes Kongresit dhe Senatit, për të ndaluar përsekutimin ndaj shqiptarëve në Kosovë. Por, i nderuar zoti President, roli juaj është i pazëvendësueshëm dhe ne shqiptarët që jetojmë këtu, jemi të bindur se do të jeni në lartësinë e misionit tuaj historik ndaj shqiptarëve në Kosovë. Shqiptarët te ju shohin vazhdimin e Presidentit të ndritur Uillson. Historikisht do të jeni heroi ynë…

Këto i thashë Presidentit Clinton.

Ai më dëgjonte me vëmendje, ndërsa i jepja shifra, fakte, ngjarje që kishin ndodhur dhe i tregoja për drojën tonë se nëse Millosheviçit i lihej dorë e lirë masakrat që mund të ndodhnin në Kosovë do të ishin të llahtarshme.

Presidenti Clinton nisi të flasë ngadalë, duke i shqiptuar me kujdes fjalët.

– Administrata ime është duke e ndjekur me shumë kujdes situatën në ish-Jugosllavi. Ne e njohim mirë natyrën e regjimit të Millosheviçit. Gabimet që u bënë në Bosnje-Hercegovinë nuk do të përsëriten më. Do të ketë vendosmëri në mbrojtjen e të drejtave të kombësive që jetojnë në ish-Jugosllavi. Unë vetë, përsonalisht dhe zoti Al Gor, do të tregojmë gjithë vemendjen e duhur. Ju garantoj për këtë! Ju lutem, përcillni angazhimin tim te të gjithë shqiptarët që jetojnë në SHBA!

Kishim marrë premtimin e Presidentit amerikan dhe ndjeheshim më të qetë.

Si kushdo që kanë bërë detyrën e tij.

Pas takimit me Presidentit Clinton dhe zv.presidentin Al Gore, ne bëmë një fotografi. Presidenti Clinton ma dërgoi fotografinë me nënshkrimin e tij vlerësues për atë takim.

x   x   x

Policia serbe ndoqi komandantin e parë të UÇK, Adem Jasharin dhe bashkëluftëtarët e tij deri në fshatin Prekaz i Poshtëm. Pas një lufte të ashpër triditore, ku ushtria jugosllave përdori mjete të blinduara dhe artileri mbi shtëpinë e Adem Jasharit, mbetën të vrarë pesëdhjetë e gjashtë anëtarë të familjes Jashari, nga të cilët pesëmbëdhjetë gra dhe dhjetë fëmijë.

Masakra e 5 marsit 1998, shkaktoi irritim të thellë në kryeqytetet perëndimore. Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright tha: “tashmë kjo krizë nuk është një çështje e brendshme e Republikës Federative të Jugosllavisë”*.

Në këtë situatë, Këshilli Shqiptaro-Amerikan, me drejtor Ilir Zherkën, organizoi një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit, me zëvendësministrin e Jashtëm, ambasador Robert Gelbard.

Në atë takim morën pjesë drejtori i NAAC, Ilir Zherka, Gary Kokalari, Dino Erbeli, Lou Fundos dhe unë. Arsyeja takimit ishte situata e rënduar në Kosovë.

Gelbard na priti në zyrën e tij dhe nisi të na fliste për çfarë po bënte administrata amerikane për çështjen e Kosovës. Ditë më parë ai kishte bërë një deklaratë të rëndë, duke cilësuar se regjimi i Beogradit kishte vrarë një grup terrorist.

Situata në zyrën e mikëpritësit tonë ishte e tensionuar ende pa filluar mirë takimi. Ne ishim njohur me deklaratën e tij dhe  natyrisht nuk ishim të një mendjeje. Biseda filloi e ftohtë, ai e kuptoi se kësaj here asgjë nuk do të ishte miqësore siç kishte ndodhur në takimet e tjera.

Papritur, Gelbard nxori nga sirtari i tavolinës së tij emblemën e UÇK.

Ishte hera e parë që unë e shihja atë emblemë.

– E dini ju se çfarë janë këta të UÇK? Këta janë terroristë! – tha Gelbard, prerë dhe me ton të lartë.

Në atë moment më zuri gjaku i shqiptarit, nuk e përmbajta dot veten dhe iu ktheva me një gjuhë të drejtpërdrejtë, aspak diplomatike.

– Shame on you! (Turp të kesh!), i thashë. UÇK nuk është terroriste! Ata djem dhe vajza luftojnë kundër një gjenocidi të pashembullt në qendër të Evropës dhe për të drejtat e tyre njerëzore.

Ambasadori nuk e priti një reagim të tillë. U befasua. U pa qartë tronditja e tij nga reagimi im. Pas meje foli edhe Gary Kokalari, ashpër edhe ai ndaj kësaj deklarate të Gelbard. Në zyrën e Departamentit të Shtetit u krijua një gjendje e nderë, aspak miqësore. Për një moment mendova se do të na arrestonin në zyrat e shtetit për ashpërsinë e reagimit tonë.

Diplomati amerikan e kuptoi që nuk kishte gjetur njerëz të gatshëm të miratonin çdo lloj qëndrimi të kundërt me aspiratat tona, kuptoi edhe se kësaj here mbështetja për ata që kishin vendosur të luftonin po i ndodhte në zyrën e tij. Biseda më pas nisi të futej në rrugë pak a shumë normale, por tensioni ndjehej. Të dyja palët përpiqeshim kot ta fshihnim.

Më pas ne u larguam nga zyra e tij, por jo pa pasoja.

Reagimi ynë kishte bërë efektin e vet.

Pas këtij takimi, Gelbart u largua nga detyra që mbante, ndërsa Departamenti i Shtetit filloi të pranojë UÇK. Deklaroi se ka vendosur kontakte zyrtare me të.

Kjo ka qenë këmbëngulja e Këshillit Shqiptaro-Amerikan.

Jam i sigurt se nëse nuk do të kishte qenë reagim ynë i ashpër, jo vetëm në atë takim, por në vijim, nëse në zyrën e zoti Gelbard nuk do ishte dënuar brutalisht qëndrimi përçmues dhe denigrues ndaj luftës heroike të UÇK për një kauzë të drejtë, çështja e Kosovës mund të ishte “groposur”. Interesi i Amerikës ndaj saj nuk do të kishte qenë aq i fortë dhe vendimtar, kauza jonë do të ishte bërë viktimë e qëndrimeve të zyrtarëve si Gelbard.

Nuk vonoi shumë dhe ambasadori Holbrooke, përmes Christofer Hill organizoi takime të fshehta me përfaqëues të UÇK në perëndim dhe me dy drejtues të saj në zonën e Drenicës. Ky takim vlejti për të informuar SHBA përmes përfaqësuesve të tyre, se UÇK nuk kishte asnjë lidhje as me terrorizmin, as me mbështetjen nga organizatat islamike.

x   x   x

Në ditët e pranverës së vitit 1999 qindra mijra shqiptarë , të ndjekur nga dhuna serbe, vrasjet masive dhe përdhunimet u larguan nga Kosova dhe u vendosën në Shqipëri. Familja ime, sidomos vajza, Donika, që ishte në Shqipëri, ngriti menjëherë një grup për të ndihmuar dhe shkonte shpeh në kampet e ngritura për refugjatët. Një ditë ajo mësoi për një ngjarje të llahtarshme. Për këtë i dërgoi një letër vëllait të saj, Ilirit.

I dashur Ilir!

Të falënderoj për fjalët e tua! E vërteta është se situata është thellësisht shqetësuese. Po të tregoj vetëm një ngjarje. Ti i ke parë kampet e refugjatëve kosovarë në televizion. Një nga këto kampe ndodhet edhe në Tiranë. Në një prej çadrave janë pesë vajza të mitura, të cilat refuzojnë të dalin përjashta si të tjerët. Vajza dhjetëvjeçare, e cila është e bija e arkëtares që kemi këtu në “Piazza”, i tregoi nënës së saj për vajzat e çadrës. Ajo, së bashku me shoqet e klasës shkonte në kamp për të luajtur dhe për të argëtuar fëmijët e refugjatëve kosovarë.

“E sheh atë çadrën atje?”, – e kishin pyetur vajzën dhjetëvjeçare. Ajo është çadra e vajzave që nuk duan të dalin nga aty.”

Asaj i kanë thënë se ato janë përdhunuar nga ushtarët serbë. Vogëlushja rrëfeu se serbët i kanë zhveshur vajzat në kazermat e ushtrisë. Vajzat thonë se ndihen aq të turpëruara, sa nuk pranojnë të dalin jashtë. Ato qajnë vazhdimisht me kujë, duke shkulur flokët, duke çjerrë fytyrën e duke thënë që donin të vrisnin veten.

Unë e porosita vajzën e vogël t’i pyeste nëse mund t’i takoja. Por fatkeqësisht, ato refuzuan. Situata këtu është e rëndë sa nuk mund të përshkruhet.

Me dashuri, Donika!

Menjëherë shpreha dëshirën të jepja ndihmë për fëmijët e dëmtuar nga lufta.

Ishte ditë e dielë kur takova kongresistin David Bonier dhe i fola për masakrat, për politikën çnjerëzore serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë, i fola dhe për refugjatët e Kosovës në Shqipëri. Konkretisht u ndala te letra që kishte marrë Iliri, djali im nga Donika. Ai u emocionua dhe u prek shumë nga letra. Më tha se të nesërmen, domethënë të hënën, do të shkonte në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë dhe do t’ia jepte personalisht këtë letër Presidentit Clinton.

Kështu ndodhi. Kongresisti Davis Bonier më lajmëroi që ishte takuar me President Clinton dhe kur ia kishte lexuar email-in, Presidenti ishte prekur shumë nga kjo ngjarje, ishte përlotur dhe kishte kërkuar më shumë informacion se kush e kishte dërguar letrën. Sipas kongresistit Bonier, Presidenti ishte shprehur se kjo situatë nuk duhet lejuar më. Nisur nga këto ngjarje dhe nga email-i i Donikës, kur Presidenti Clinton erdhi në Roseville, në Miçigan kërkoi të takohej me familjen Bardha.


Në prill të vitit 1999, në mes të fushatës më të egër serbe kundër popullsisë shqiptare, vrasjeve barbare, rrëmbimeve, përdhunimeve dhe plaçkitjeve, Presidenti Clinton erdhi në shtetin e Miçiganit, ku zhvilloi një takim me zgjedhësit në qytetin Roseville.

Aty ishin ftuar edhe shqiptarë.

Dëshira e tyre ishte t’i shprehnin mirënjohjen Presidentit Clinton dhe ta falënderonin për çfarë kishte bërë dhe po bënte për Kosovën. Të gjithë e kishin kuptuar se pa vendosmërinë dhe shtytjen e qeverisë amerikane, nuk mund të fillonin veprimet ushtarake të NATO kundër Jugosllavisë.

Pas takimit elektoral në Roseville, Presidenti u takua me mua, Ilirin dhe bashkëshorten time, Lumturi Bardha. Takimi u zhvillua privatisht, pa media. Gjatë bisedës me Presidentin Clinton pashë shqetësimin që e shprehte hapur ndaj masakrave që po ndodhnin në Kosovë. U interesua të mësonte nga ne si po e ndihmonte Diaspora popullatën e shpërngulur me dhunë në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi.

E informuam për veprimtarinë që kishte zhvilluar Diaspora, ndërkohë e falënderova duke i thënë se shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë ndienin për të po aq respekt, sa kishin për Presidentin Woodrow Wilson, i cili e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi më 1918.

Gjithashtu i shpreha shqetësimin që kishim të gjithë se Millosheviçi edhe gjatë bombardimeve të NATO, po i vazhdonte masakrat ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.

I thashë Presidentit Clinton të vinte dorën në zemër, ai dhe qeveria amerikane të bënin çfarë të ishte e mundur për të shpëtuar këtë popull nga mizoritë e shfarrosjes së politikës serbe.

Presidenti Clinton theksoi:

– Millosheviçi ishte një kasap, por krimet e tij nuk do të vazhdojnë gjatë. Një ditë do të ndëshkohet si kriminel lufte.

Presidenti pyeti Ilirin për letrën e marrë nga motra, Donika, u interesua për tragjedinë e pesë vajzave të mitura kosovare që nuk dilnin nga çadrat e tyre pas asaj që kishte ndodhur.

Unë pashë Presidentin Clinton të prekej shumë gjatë shpjegimit që Iliri i bëri letrës së Donikës.

Nuk mundi t’i fshihte lotët e pikëllimit…

Më vonë, pas përfundimit të luftës në Kosovë, unë mora një letër, me shkrim dore, nga vetë Presidenti Klinton.

SHTËPIA E BARDHË

UASHINGTON

4 tetor 1999

FAMILJES BARDHA

3300 LONE PINE ROAD

WEST BLOOMFIELD, MI 48323T

E dashur Lumtëri, Ekrem dhe Ilir!

Dua t’ju falënderoj edhe një herë që u takuat me mua gjatë vizitës në Miçigan. Gjatë përpjekjeve tona për t’i dhënë fund kryqëzatës së tmerrshme të spastrimit etnik në Kosovë, tregimet tuaja na nxisnin fuqimisht dhe na mbanin parasysh urgjencën e misionit tonë. Ne tani po hyjmë në një fazë të re të përpjekjeve tona për paqe e drejtësi në Ballkan dhe, ndërsa gjendemi përpara vështirësive të mëdha, të jeni të sigurt se do t’i vazhdojmë përpjekjet për t’i ndihmuar qytetarët e Kosovës të rindërtojnë jetën dhe atdheun e tyre. Hillary dhe unë ju urojmë çdo të mirë juve dhe familjes suaj!

Sinqerisht,

Bill Clinton (d.v.)

 

Kisha përballë njeriun më të fuqishëm të botës të prekej aq njerëzishëm dhe të përjetonte po aq fort sa dhe ne, tragjedinë e shqiptarëve të Kosovës shkaktuar nga regjimi serb. Ai premtoi:

– Amerika patjetër do të veprojë që të mos e lejojë këtë gjenocid!

Nga takimi me Presidentin Klinton, djali i zotit Bardha, Iliri, ka shënuar:

Sapo mbaroi takimi elektoral, Presidenti Clinton që shoqërohej nga guvernatori, senatori, kongresistët, u ul pranë nesh. Ishim ulur në formë rrethore, Presidenti tërhoqi një karrige dhe u ul pranë meje.

Hjithë të tjerët po qëndronin në këmbë dhe vetëm ne, familja Bardha ishte ulur me Presidentin. Ai na tha se ia kam dhënë email-in edhe Hillary-t dhe ajo ishte prekur shumë.

– Unë dua të di dhe të njihem dhe me email-e të tjera. – m’u drejtua Presidenti.

I tregova se familja ime ka një restorant në Tiranë dhe motra ime, Donika është atje dhe po i ndjek nga shumë afër ngjarjet me shqiptarët e Kosovës.

Ai ishte shumë i përqendruar tek ato që po i tregoja, madje do të thosha i shtangur, saqë kur një nga këshilltarët iu afrua për t’i thënë diçka, ai e largoi me dorë, sepse nuk donte të shkëputej nga ajo që po dëgjonte. Presidenti Clinton ishte një dëgjues i jashtëzakonshëm. Unë e kisha një metër larg Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili po më ndiqte me një përqendrim të admirueshëm rreth dramës shqiptare të shkaktuar nga masakrat serbe në Kosovë.

– A mund t’i marr me vete email-et që t’ia tregoj edhe Hillary-t? A mund të ma bësh këtë nder? – më tha Presidenti.

I thashë se do të doja shumë që t’ia jepja dhe një asistent i tij do të më jepte një kartë që unë t’i dërgoja në atë adresë të gjitha email-et që kisha për këto masakra.

Në atë takim ne u munduam të gjithë që të bënim diçka. Babai i tregoi historinë e familjes së tij duke theksuar se shqiptarët meritonin më shumë, ndërsa serbët po mundoheshin të zhduknin shqiptarët e Kosovës.

– Shqiptarët janë njerëz punëtorë dhe të mrekullueshëm. Ju duhet të bëni diçka për këtë situatë. Ne jemi njerëz të mirë, por po na vrasin, siç vriste dhe Hitleri. – iu drejtua babai Presidentit Clinton.

Nga ato që pa dhe dëgjoi, Presidenti tha se kjo që po ndodhte në Kosovë ishte e tmerrshme dhe duhej ndaluar.

– Unë duhet të bëj diçka për këtë popull. Marr informacione nga shumë burime, nga këshilltarët dhe doja të flisja me dikë që nuk është pjesë e qeverisë, siç jeni ju. – tha Presidenti Clinton.

Këshilltarët funksionojnë me axhenda politike dhe ekonomike, të ndikuara edhe nga lobet e ndryshme dhe Shqipëria e shqiptarët e Kosovës nuk ishin në fokusin e politikës amerikane.

Shumë shpejt, pas takimit me Clinton, një – dy javë më vonë, NATO dhe SHBA intensifikuan sulmet ajrore ndaj ish-Jugosllavisë, të cilat kishin nisur që më 24 mars të atij viti./ DITA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit