Deputeti i Partisë Socialiste Rrahman Rraja njoftoi të shtunën tërheqjen nga parlamenti pas publikimit të një videoje në të cilën familjarë të tij, përfshirë dy vëllezër, i biri dhe disa nipër, shfaqen duke dhunuar në mënyrë mizore dy qytetarë, “krimi” i të cilëve ishte se ishin ankuar në polici për shpërthimet e eksplozivëve në një gurore nën pronësinë e të vëllait të deputetit, ndërsa kryeministri Edi Rama përballet me skandalin e rradhës të qeverisjes së tij.
“Deklaroj dorezimin e mandatit te deputetit dhe terheqjen time nga jeta politike,” deklaroi Rraja, i cili ka qenë kryekomunar i Niklës nga viti 2003 deri në vitin 2015 dhe deputet i Partisë Socialiste, pasi ka mbaruar studimet në Universitetin Bujqësor në vitet 2003-2007.
Deputeti deklaroi se ai e konsideron veten “prind të dështuar” dhe i bëri thirrje të birit, i cili është shpallur në kërkim nga policia, të dorëzohet.
“Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë”, deklaroi Rrahman Rraja.
Një video disa anëtarë të familjes Rraja dhunojnë me shkopa bejsbolli dy kushërinj, pasi i gjetën ata në një lokal. Në video dëgjohet dikush që bërtet “Vrite – Vrite!” ndërsa goditjet e pamëshirshme vijojnë, në një akt që dukshëm ishte i synuar për të frikësuar viktimat, edhe pasi këta të fundit ishin të rrëzuar në dusheme.
BIRN pyeti zyrën e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla në lidhje me ngjarjen. Që të dy nuk janë përgjigjur për komente mbi këtë shkrim deri në kohën e publikimit./BIRN
Artikulli i plotë këtu.